Tri ndeshje, tre gola, tri fitore të Partizanit. Xhuliano Skuka është padyshim njeriu i momentit në sportin vendës. Dibrani vazhdon të udhëheqë ekipin ndeshje pas ndeshjeje dhe të shndërrohet në pikën e referimit në sulm. Deri më tani, Skuka me golat e tij ka vulosur të tria fitoret dhe ka lënë tërësisht në hije sulmuesit e tjerë, si Cara apo Cvetanoski.
Pas këtyre tri ndeshjeve, duke parë edhe lojën, ku shumica e topave shkojnë në këmbët e Skukës, mund të themi se Partizani po nis të krijojë njëfarë varësie ndaj Skukës. 24- vjeçari është lokomotiva e gjithë ekipit dhe tashmë thuajse të gjitha shpresat e golit varen te Skuka.
RISKU – Të kesh një lojtar që arrin t’i zgjidhë ndeshjet i vetëm, falë aftësive të tij, është padyshim një fat i madh, por çdo e mirë, ka edhe riskun e saj. Partizani ndeshje pas ndeshjeje po krijon varësi ndaj Skukës dhe dyshimet qëndrojnë se si do të sillej skuadra në fushë pa të. Për më tepër, “demat” nuk e kanë një tjetër qendërsulmues tipik në organikë.
DHURATË NGA QIELLI – Transferimi i Xhuliano Skukës në janarin e shkuar ishte padyshim një dhuratë e madhe për Partizanin. Dinamo mori Rexhinaldon dhe Shkëmbi vendosi të largojë Skukën, i cili erdhi si alternativë, por shumë shpejt u shndërrua në lojtarin kryesor të sulmit. Në këtë sezon, ai pritet ta mbyllë te Partizani, por në verë, nëse vazhdon me këto ritme, me shumë mundësi Skuka nuk do të veshë fanellën e Partizanit.
Arena e Lajmit