Mbrojtja më e mirë, kapiteni Krasniqi: Duket sikur kemi vite bashkë, ia dalim edhe kundër Partizanit

Gëzim Krasniqi është një prej afrimeve më të rëndësishme të Erzenit pas ngjitjes në Kategorinë Superiore. Qendërmbrojtësi kavajas u largua nga Egnatia dhe zgjodhi të vijonte karrierën me shijakasit, duke marrë edhe rolin e kapitenit të ekipit. Pas tri javëve të para, mbrojtja e Erzenit, e udhëhequr nga Krasniqi, është një prej më të mirave të kampionatit, pasi nuk ka pësuar asnjë gol.

Erzeni Krasniqi

Portieri Dashamir Xhika nuk e ka nxjerrë asnjëherë topin nga rrjeta, në një kohë që të dielën shijakasit i pret sfida me Partizanin, që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, ora 17:45. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Krasniqi ka treguar çelësin e suksesit në skuadrën që është rindërtuar nga e para dhe në tri javë ka marrë një fitore dhe dy barazime.

Nga Egnatia tek Erzeni dhe sërish kapiten. Së pari, çfarë ju bindi të transferoheshit në ekipin e sapongjitur në elitë?

Sa i përket faktit që mbeta sërish kapiten, edhe pse ndryshova skuadër, mund të them se shiritin ma ofruan drejtuesit e klubit dhe e pranova me kënaqësi. Erdha tek Erzeni me dëshirën për të dhënë kontributin tim për fanellën e kësaj skuadre dhe qytetin e Shijakut.

Si jeni pritur në Shijak dhe cilat janë përshtypjet tuaja në këtë qytet, që jeton shumë me futbollin?

Në Shijak kam shumë miq. Duke njohur qytetin dhe sa dashamirës janë ndaj futbollit, sigurisht që jam ndierë si në shtëpinë time.

Me zero gola të pësuar jeni mbrojtja më e mirë e kampionatit në tri javët e para. Është thjesht një rastësi apo besoni se mund të vazhdoni gjatë me këto statistika?

Çdo ndeshje që kalojmë, ne po marrim formë akoma më mirë. Ky sukses në mbrojtje nuk është rastësi, por falë punës që kemi bërë këto dy muaj. Shpresojmë që të kalojmë sa më shumë ndeshje pa pësuar. Unë kam bindjen se do të jemi kockë e fortë për çdo kundërshtar, sepse shikoj që pas çdo ndeshje që kalon, ne bashkohemi më shumë dhe bëhemi më të fortë si grup. Jam optimist se do të jemi shumë më të fortë.

Ndeshjen e radhës do ta luani në transfertë ndaj Partizanit kryesues, një klubi që ju keni luajtur për disa vite. Çfarë prisni nga ky takim?

Ndeshja ndaj Partizanit është thjesht e radhës për mua dhe skuadrën. Unë personalisht nuk shikoj emrin e kundërshtarit për t’u motivuar, por çdo ndeshje e vlerësoj në maksimum, pasi vlen njësoj. Nga koha kur kam luajtur me Partizanin nuk ka mbetur asnjë lojtar. Kam emocione dhe nostalgji vetëm për tifozët e kuq, për të cilët kam shumë respekt.

Cili është objektivi i Erzenit, ose më saktë çfarë ka kërkuar klubi?

Objektivi im dhe i ekipit është që të mbetemi në Superligë. Unë dhe skuadra do të japim maksimumin për të arritur qëllimin. Fryma që kemi në grup është shumë e mirë. Jemi ekip i ri dhe me një harmoni sikur kemi vite që njihemi. Një nga grupet më pozitive që kam qenë pjesë.

Keni një mesazh për tifozët para ndeshjes me Partizanin?

Tifozëve ju them që ejani në stadium për Shijakun, pasi janë motiv për ne. Bashkë do të shkojmë drejtë suksesit. Forca Shijaku!

RONALD FAJA – Arena e Lajmit


Mbrojtja më e mirë, kapiteni Krasniqi: Duket sikur kemi vite bashkë, ia dalim edhe kundër Partizanit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook