Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në studion e News24 ka folur në lidhje me situatën politikë ne vend, teksa përmendi nisjen e sesionit të ri parlamentar dhe zhvillimet brenda Partisë Demokratike.
Murati deklaroi se tashmë që kemi hyrë në një vit elektoral situata politike do jetë e ndezur, ndërsa shtoi se topi tashmë është në fushën e opozitës pasi ka një betejë të vështirë përpara kundër qeverisë në zgjedhje.
Sa i përket situatës brenda PD-së, Murati tha se grupi i Alibeajt mund të krijojë probleme për PD-në e Berishës në zgjedhje duke rrezikuar edhe një bashki ‘të zjarrtë’ demokrate si Shkodra, të cilën PS synon ta fitojë për herë të parë.
Sipas tij grupimi i Alibeajt është një minorancë dhe duhet të krijojë një parti më vete duke respektuar vullnetin e shumicës së demokratëve.
Sakaq, ai foli edhe për komentet e cilësuara raciste të ministrit britanik të emigrimit kundrejt shqiptarëve, teksa tha se Shqipëria duhet ta gjejë problemin te vetja se përse të rinjtë largohen nga vendi duke rrezikuar jetën, ndërsa tha se duhet të ketë përpjekje për bashkëpunim mes vendeve në lidhje me trajtimin e gjithë çështjes.
“Sesioni i ri filloi aty ku përfundoi i vjetri me shumë debate e përplasje që mbeten në kuadrin e një teatri të madh politik. Ne kemi hyrë në vit elektoral dhe pritet që situata politike të jetë e ndezur, paralajmërimi i Berishës për rinisjen e protestave nuk është për tu përjashtuar. Nuk besoj se protestat e mëdha kombëtare do jenë fokusi i opozitës në muajt në vijim, pavarësisht se janë një instrument për paraqitjen e mungesës së kënaqësisë për diçka. Topi është në fushën e opozitës, ne e dimë ‘ofertën’ e PS-së, kemi 10 vite që qeverisemi nga ta. Opozita ka një betejë dhe sfidë të vështirë përpara, protestat nuk përjashtohen por nuk mund të jenë qëllim më vete.
Situata brenda PD Ajo që po ndodh është mishërimi i shprehjes që lufta brenda llojit është tejet e ashpër. Shumëkush mendon se kemi vetëm një PD, por vetë fakti që jemi këtu prej më shumë se 1 viti dhe flasim për Bashën, Alibeajn e Bardhin që janë kundër Berishës, do të thotë se janë një faktor i rëndësishëm. Fakti që kemi dy PD, tregon se kjo nuk është situatë e qartë, dhe që duhet zgjidhur, por besoj se është shumë vonë. Alibeaj ka deklaruar se PD e tij do ketë kandidatët e saj në zgjedhje, e kemi thuajse të sigurt që do kemi 2 kandidatë të partive demokratike, ndërsa nga ana tjetër PS ka vetëm një kandidat. Në qytete të mëdha ku vota është thuajse e përcaktuar, në disa qytete grupi i Alibeajt mund të jetë faktor dhe mund të shkaktojë probleme edhe në qytete si Shkodra që PS synon ta marrë për herë të parë. Ky grupim nuk duhet ta mbajë peng partinë dhe duhet të dalë në një parti më vete. Grupi që do dalë minorancë do ishte legjitime që të krijojë një parti më vete, nëse ai nuk del situata e opozitës do vijojë të jetë e vështirë. Ilir Meta nuk ka drejtuar kurrë një parti të madhe në vend, por është i vetmi që ka mbajtur 3 postet kryesore, Basha ka qenë kryetar i PD-së dhe thuajse vrau veten politikisht. Është më keq nëse i bën opozitë partisë tënde.
Vulës i është dhënë shumë rëndësi, atë do e vendosë gjykata por kriza do mbetet në PD, pasi nuk besoj se kjo krizë zgjidhet me një vendim gjykate. Nuk mundet që me një vendim të deformohet vullneti i njerëzve. Ne kemi precedentin e 6 marsit, ku vulën e mbajti grupi i Bashës dhe u krijua koalicioni Shtëpia e Lirisë, pavarësisht se për kë vendos gjykata, këtu bëhet fjalë për mbajtjen [eng të opozitarizmit në vend. Në fund të fundit nuk ka rëndësi fati politik i një individi, por duhet një opozitë e fortë, sidomos kur kemi një kryeministër shumë të fortë që kërkon gjithçka.
Ministria e Jashtme bën politikën e qeverisë, atë që tha Xhaçka zëre se e ka thënë Rama, është një notë proteste kundër qeverisë britanike. Ministri britanik po fliste për emigracionin e paligjshëm shqiptar, ne duhet të pyesim veten se pse etiketohet emigracioni shqiptar, duhet ta shohim gabimin te vetja. Gjuha e tij ishte e papërshtatshme, por duhet të ketë përpjekje për rritjen e bashkëpunimit, dhe të kuptohet pse rinia shqiptare rrezikon jetën për të shkuar në Britani. Një notë proteste nuk e përkeqëson marrëdhënien me Britaninë. Problemi është se rinia po ikën duke rrezikuar jetën, ky është problemi i vërtetë me të cilin duhet të merren të gjithë.