Rezart Dabulla është klinik me opinionet e tij kur bëhet fjala për Tiranën. Ish-mbrojtësi, në një intervistë për “Panorama Sport”, prek pak nga të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur te kampionët në fuqi, si merkaton dhe startin e kampionatit, zgjedhjet e Shehit, por gjithashtu ka edhe një pikëpyetje në lidhje me mbrojtjen e titullit këtë sezon nga bardheblutë.
Dabulla, si ju janë dukur tri ndeshjet e parë të Tiranës?
Nuk më janë dukur as shumë keq dhe as shumë mirë. Mbase në ndonjë ndeshje meritonin të merrnin ndonjë pikë më shumë, por futbolli njeh që edhe kur meriton të marrësh një pikë më tepër, qëllon që kundërshtari tregohet më i zoti dhe t’i merr ato pikë. Më është dukur keq me pikët, sepse nuk ka marrë aq sa duhet por mbase është fillimi akoma, dhe duke qenë se disa lojtarë janë të rinj, duhet të përshtaten me ekipin, me lojën, me mënyrën e re të skemës që kanë vendosur të luajnë këtë vit, duhet pak kohë. Por në përgjithësi loja më ka pëlqyer, sepse Tirana është shfaqur para portës, është munduar të shënojë, ka krijuar raste në të tria ndeshjet, pavarësisht se ka marrë vetëm 4 pikë.
Kanë ndodhur disa lëvizje, si e shihni këtë ndryshim nga ekipi i vjetshëm?
Ka pasur disa largime të rëndësishme, kështu që edhe nëse nuk dalim kampionë këtë vit, pavarësisht se është shpejt ta thuash, të paktën unë shpresoj që të marrim Kupën dhe të dalim në vend të dytë, e quajmë një sezon të suksesshëm.
Po afrimet e reja, si u janë dukur?
Afrimet e reja i kam parë, por është akoma shpejt për të dhënë një mendim. Kur vjen në një ekip të ri, sidomos në një ekip që ka dalë kampion vitin e fundit, pritet shumë, por është ende shpejt për t’iu kërkuar atyre llogari. Ata duan kohën e tyre për t’u përshtatur me klubin, emrin e klubit ku kanë arritur, si dhe me objektivat që ka klubi. Shpresojmë që të bëjnë mirë në vazhdim.
Që në këto javët e para ka pasur kritika drejt trajnerit Shehi. Nevil Dede është shprehur se duhej të aktivizonte Zhivanajn përpara Behiratçes në mbrojtje. Ju çfarë mendimi keni?
Unë nuk është se e kam ndjekur stërvitjen e Tiranës që të di se çfarë forme ka njëri apo tjetri, por mendimin më të mirë duhet ta japë trajneri që i ka çdo ditë në stërvitje dhe shikon formën e gjithsecilit nga lojtarët që ka në përbërje. Nuk besoj se ka trajner që aktivizon lojtarin më të dobët në fushë dhe atë që është më i mirë e mban në stol. Mbase kjo zgjedhje erdhi pasi Zhivanaj gaboi te penalltia, dhe me të drejtë janë edhe kritikat. Por nëse rezultati do të kishte qenë ndryshe, ne do të flisnim ndryshe tani
A është e aftë Tirana që të mbrojë titullin kampion këtë sezon?
Me ikjen e lojtarëve që kanë qenë shtyllë kryesore dhe goxha cilësorë si futbollistë, nuk jap dot akoma një mëndim për lojtarët me të cilët janë zëvendësuar dhe se deri në çfarë forme janë minimizuar largimet. Duhet të presim edhe pak kohë që të shohim vlerat e tyre në fushën e lojës. Mua më duket goxha mision i vështirë për të mbrojtur titullin. Uroj ta bëjnë por do të jetë shumë e vështirë. Tirana është me synimin për të dalë kampione, por sa do ta arrijë, sa do ta lejojnë të tjerët, do të gabojë Tirana më shumë apo kundërshtarët, kjo është për t’u parë.
Me aq sa keni parë, cili nga ekipet e tjera mendoni se mund të jetë një pretendent për titullin kampion?
Të gjitha ekipet që kanë qenë vjet. Partizani kuptohet që është rivali kryesor, Laçi, Vllaznia edhe Kukësi deri diku. Por janë pak a shumë të gjitha në një nivel, besoj do të ndahen ndeshjet e fundit. Por Tiranën nuk e shoh me atë uri që kishte vjet. Te them të vërtetën, nuk më pëlqeu as në Kupat e Europës, dhe më la një shije jo të mirë ajo pjesë.
Besoja që Tirana duhet të bënte shumë më mirë seç bëri dhe nuk tregoi asgjë nga vlerat e saj. Mbase lojtarët që kishte në përbërje ato ndeshje, ishin me mendje për t’u larguar diku tjetër dhe mbase këta lojtarët që kanë ardhur, janë akoma nën hijen e atyre që ishin dhe nuk po dinë të shfaqin vlerat në potencialin e tyre më të mirë.
Një koment për ndeshjen e radhës përballë Kastriotit?
Duhet patjetër të fitojë që të largojë humbjen që pësoi me Vllazninë. Duhet të jetë e aftë që të luftojë për fitimin e kampionatit deri në fund. Pastaj, ndikojnë edhe shumë faktorë të tjerë, por të paktën duhet të luftojë. Dhe unë besoj se me vlerat dhe lojtarët që ka Tirana, duhet ta fitojë këtë ndeshje.
KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit