Rekordet e Kristiano Ronaldos/ Champions-i nis pa yllin e saj, portugezi “mbreti” i kompeticionit

Liga e Kampioneve nisi për herë të parë pas 19 vitesh pa superyllin e saj. Kristiano Ronaldo ka qenë pjesë e kompeticionit europian elitar për klube që prej sezonit 2003-’04. Fillimisht si lojtar i Mançester Junajtidit, pastaj Realit të Madridit, Juventusit dhe prej 2021-shit sërish i Junajtidit. Por këtë vit, “Djajtë” do të luajnë në Ligën e Europës dhe tentativa e portugezit për t’u larguar nga “Old Trafford” këtë verë dështoi. Dje 37-vjeçari e shijoi kompeticionin e tij të preferuar vetëm si spektator përpara TV. Ndërsa, aventura europiane e klubit të tij nis të enjten kundër Sociedadit në “San Sebastian”.

RONALDO

Por edhe pa CR7 si kundërshtar në fushë, lojtarët aktualë në Champions duhet të maten me portugezin. Sepse Champions-i është kompeticioni i tij dhe ai dominon rekordet e këtij turneu. Statistikat – Ronaldo ka luajtur 183 ndeshje në Champions, më shumë se çdo lojtar tjetër. I dyti është Kasijas me 177 dhe i treti Mesi (156). Me 98 ndeshje në fazën e grupeve, portugezi është gjithashtu rekordmen dhe lë pas gjithnjë Kasijasin (95) dhe Mesin (81).

Me 140 gola në total, CR7 është shënuesi më i mirë i turneut. Ai ka shënuar 105 gola për Realin, 21 për Junajtidin dhe 14 për Juventusin. Ndjekësi i tij i parë është Mesi (125). Kristiano është shpallur golashënuesi më i mirë i turneut në gjashtë sezone radhazi. Fillimisht në 2007-’08 dhe pastaj sërish në 2012-’13, 2013-’14, 2014-’15, 2015-’16, 2016-’17 dhe 2017-’18. Në sezonin 2013-’14 ai shënoi 17 herë, më shumë se çdo lojtar tjetër gjatë një sezoni të vetëm. Ai e tundi rrjetën gjithashtu 16 herë gjatë 2015-’16 dhe 15 herë në 2017-’18.

Robert Levandovski dhe Karim Benzema kanë arritur të shënojnë vetëm 15 herë gjatë një sezoni të vetëm. Ronaldo mban edhe rekordin e numrit më të madh të golave të regjistruar në një fazë grupesh: në 2015-’16 e tundi rrjetën 11 herë për Realin. Deri tani, ai është i vetmi lojtar që ka shënuar golin e parë të sezonit dy herë: (në 2009 dhe 2021). Ronaldo e ndan rekordin e më shumë tripletave bashkë me Mesin: të dy kanë shënuar nga tetë. Me pesë triumfe në finale, 37-vjeçari është gjithashtu rekordmen këtu.

Por ai ndan edhe rekordin e më shumë finaleve të luajtura bashkë me Paolo Maldinin (6). CR7 është mes dy lojtarëve që kanë shënuar në çdo ndeshje të fazës së grupeve (2017-’18 me Realin). Përveç sulmuesit portugez e ka bërë edhe Sebastian Haler sezonin e shkuar me Ajaksin. Shtatë lojtarë kanë shënuar dy gola në finale. Mes tyre është sigurisht edhe Kristiano, i cili regjistroi një dopietë në triumfin e Realit 4-1 ndaj Juventusit në 3 qershor 2017. Një gjë është e qartë: Ronaldos do t’i mungojë Championsi po aq sa Champions-it ai. Ngushëllimi i vetëm do të jetë nisja e rekordeve të reja nga Liga e Europës…

Arena e Lajmit


Rekordet e Kristiano Ronaldos/ Champions-i nis pa yllin e saj, portugezi “mbreti” i kompeticionit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook