BOKS/ Britanikët gjejnë konsensus për ndarjen e parave, Antoni Xhoshua pranon ofertën e Furit

Antoni Xhoshua ka pranuar ofertën e Tajson Furit për një përballje në peshat e rënda, por nuk do të duelojë në datën e propozuar të 12 nëntorit. Furi e ktheu vëmendjen e tij te Xhoshua pasi Oleksandër Usik nuk pranoi të duelonte para fundit të vitit. Nga ana tjetër, Furi këmbënguli se donte të kthehej në ring përpara Krishtlindjeve dhe i kërkoi bashkëkombësit të tij britanik një përballje pas disfatës së dytë radhazi që Xhoshua pësoi ndaj nga Usik.

3453

Kështu, Furi i ka ofruar Xhoshuas 40% të një përfitimi shumëmilionësh, ndërsa këmbënguli se dueli do të zhvillohej në Mbretërinë e Bashkuar në nëntor. Ndërkohë, promotori Edi Hërn ka zbuluar se Xhoshua e ka pranuar ofertën, por tha se mbetet për t’u përcaktuar data, duke bërë të ditur se boksieri i tij nuk do të jetë gati deri më 17 dhjetor. Preferenca e Furit ishte që të duelonte më 12 nëntor, një sfidë që ai mendonte ta zhvillonte në stadiumin “Old Trafford” të Mançesterit. Duke mos gjetur konsensus për këtë datë, Furi më pas ka kërkuar që promotori Uorren ta rezervojë duelin në “Wembley” më 26 nëntor ose stadiumin “Principality” të Kardifit më 3 dhjetor. Furi fillimisht pritej që t’i ofronte Xhoshuas një pjesë shumë më të vogël të “tortës”, por në rrjetet sociale njoftoi se do të jetë një ndarje më korrekte. “Po bombardohem me mesazhe se sa do ta paguaj Antoni Xhoshuan. Të gjithë thonë 80/20, 70/30, 75/25… përgjigjja e vërtetë është se unë i kam ofruar 60/40. Dyzet për qind e kësaj përballje të mrekullueshme, sepse unë dua që ky duel të ndodhë. Ai nuk ka asnjë justifikim tani për të mos e pranuar këtë ofertë. Nuk mund të thotë se e kam ulur atë duke i ofruar 20 për qind ose 30 për qind.

Unë i kam ofruar Xhoshuas 40 për qind, merre ose lëre”, është shprehur Furi. Dy boksierët britanikë duhej të ndesheshin verën e kaluar për titullin e padiskutueshëm, por u vendos që Furi duhej të përballej me Deontai Uilder për herë të tretë. Asokohe, fitimi me vlerë deri në 100 milionë paundë për secilin pas një oferte nga Arabia Saudite, do të ndahej në mes. Por që prej asaj date, Xhoshua ka humbur dy herë kundër Usik, ndërsa Furi ka bërë mbrojtjen e suksesshme të titullit të tij botëror fillimisht kundër Uilderit dhe më pas ndaj Dilian Uajt. Furi dhe Usik mendohej të sfidoheshin për kurorën e padiskutueshme që do t’i unifikonte të gjithë titujt, një javë para Krishtlindjeve. Por ukrainasi deklaroi se nuk do të ishte gati deri në pranverën e ardhshme, duke bërë kështu që britaniku të kërkonte një kundërshtar të ri, Antoni Xhoshuan.

Arena e Lajmit


BOKS/ Britanikët gjejnë konsensus për ndarjen e parave, Antoni Xhoshua pranon ofertën e Furit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook