Partizani në sezonin e ri, drejtori Muça karikon armatën e kuqe: Të marrim fronin

Nga klubi më i madh sportiv i vendit, në dekadat e fundit, Partizani i shumësportëshit shkoi drejt shkrirjes së plotë, ndërsa mbeti edhe pa shtëpi, ashtu sikurse vijon të jetë edhe aktualisht. Megjithatë, prej 5-6 vitesh klubi është ringjallur, duke zgjeruar disiplinat sportive, ndërsa nuk kanë munguar as rezultatet, dhe një meritë të madhe ka pasur sigurisht edhe një ish-bardheblu, si Shkëlqim Muça.

muca

Të kuqtë tashmë po bëhen gati për një tjetër sezon, në të cilin futen me ambicie të mëdha. Muça, drejtori i klubit shumësportësh Partizani, në një intervistë për “Panorama Sport” rrëfen objektivat për edicionin 2022- 2023, ku parësore do të jetë rimarrja e fronit në volejboll, teksa thotë se ndoshta “ngopja” me trofe mund të ketë ndikuar në kampionatin e kaluar. Me objektiva të rëndësishme vjen edhe basketbolli i femrave. Ndërkohë, një prej problematikave më të mëdha të Partizanit, sipas Muçës mbetet mungesa e terreneve sportive, me klubin që është i detyruar të shpenzojë një pjesë të mirë të buxhetit për qiratë.

Muça, le ta nisim nga basketbolli i femrave, çfarë synoni me këtë skuadër?

Që me fillimin e projektit për ta ringritur ekipin e femrave, kur ishte trajnere Ledina Koçi, ekipi ka pasur rezultate të mira. Kemi fituar një herë Kupën e Shqipërisë, vitin e dytë fituam Superkupën dhe dy herë kemi qenë nënkampionë. Objektivi për këtë vit, pavarësisht se trajnerja Ledina u tërhoq për problemet e saj personale, me trajneren e re Erta Bujari dhe stafin e saj, kemi shumë besim që rezultatet do të vazhdojnë. Pretendojmë përsëri që të jemi në finale me Flamurtarin dhe pse jo për ta fituar edhe titullin. Kemi lojtare të mira nga kampionati shqiptar dhe presim që rezultatet të jenë të larta.

Ndërkohë te meshkujt nuk do të jeni në Superligë, pasi do ta nisni nga Kategoria e Parë…

Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë mungesa e sponsorit ka bërë që ekipi të mos e siguronte dot qëndrimin në elitë, në nivelet e skuadrave të tjera. Sigurisht donim qëndrimin në Superligë, por në “play out” u përballëm me një Besëlidhje që kishte ndërtuar një ekip të mirë dhe na rrëzoi. Megjithatë, objektivi ynë është që të ngrihemi sërish. Por kampionati i basketbollit është shumë i vështirë, pasi bëhet me vetëm 6 ekipe, të cilat financohen dhe kanë lojtarë të huaj, prandaj duhet një mbështetje financiare e lartë për t’i realizuar objektivat.

Duke kaluar te volejbolli, pas disa vitesh dominim absolut të Partizanit, vjet e lëshuat fronin, si te femrat gjithashtu edhe te meshkujt…

Tri vitet e fundit kemi pasur rezultate shumë të mira. Kemi qenë absolut dominues me femrat dhe meshkujt. Por ndonjëherë ‘uria’ shuhet dhe ndoshta kjo bëri që vjet të kishim një sezon pauze nga të dyja skuadrat. Megjithatë, përsëri ishim mes 4 skuadrave më të mira, por pretendojmë që këtë sezon të ngrihemi sërish në nivelin ku kemi qenë.

Të ndalemi me konkretisht te femrat, si e shikoni konkurrencën në kampionat?

Kampionati i femrave është i rivalizuar, sepse janë katër ekipe që luftojnë për titullin, ne, Vllaznia, Tirana dhe Skënderbeu. Edhe kampionati bëhet më i bukur kur ka kaq shumë rivalë.

Po te meshkujt?

Të meshkujt, natyrisht është Tirana, ne dhe Erzeni. Pra, jemi tri skuadra që rivalizojmë gjithmonë. Duke qenë brenda këtyre ekipeve, objektivi minimal është fillimisht “play off”-i, por sigurisht që do të kërkojmë për më shumë, për të marrë titullin. Ky ka qenë edhe qëllimi kryesor, të cilin e kemi pasur në fillim, që ekipet e lojërave me dorë t’i kemi në nivele të larta, ashtu sikurse e ka pasur gjithmonë traditë Partizani.

Natyrisht që jemi të kënaqur deri më tani me punën që po bëhet. Ndryshe nga disa vite më parë, Partizani tashmë po masivizohet edhe në sportet e tjera, ku nuk po mungojnë as rezultatet…

Sigurisht, ne kemi edhe skuadrën e peshëngritjes për femra, ku 4 vjet rresht ishim kampionë dhe fitues të kupës, ndërsa vetëm këtë sezon jemi nënkampionë dhe fitues të kupës. Pra, kemi dominuar me peshëngritjen e femrave. E kemi pasur që në fillim projektin për të ndërtuar një skuadër peshëngritjeje për femra.

Trajneri Ervis Tabaku është shumë i apasionuar dhe ka punuar fort me gocat duke formuar një ekip shumë të mirë. Besoj që edhe në vitet në vazhdim do të jemi kampionë absolutë. Edhe në karate për femra e meshkuj, Partizani është kampion i padiskutueshëm tri vite radhazi. Gjithashtu edhe në taekwondo kemi rezultate të mira, me sportistë të veçantë. Kemi edhe ekipet në mundje apo not, por në peshëngritjen e femrave dhe në karate jemi pararojë.

Le të kalojmë pak te “sporti i mendjes”, te shahu…

Akademia e shahut Partizani është akademia më e mirë për të rinj dhe kampione absolute në vend. Kemi shumë lojtarë të talentuar siç janë Aleksandër Xhambulla, Klajdi Zeneli, Ajlin Ndreko etj. Pra, kemi shumë fëmijë të talentuar që stërviten nga profesori Arian Bllaca, një njeri shumë i pasionuar pas shahut. Tani në Kampionatin Botëror individual për të rinj, që po zhvillohet në Rumani, nga 4-5 sportistë që përfaqësojnë Shqipërinë, dy janë nga Partizani: Xhambulla dhe Zeneli. Jemi kampionë kombëtarë te moshat dhe mendojmë që ta mbajmë këtë brez, sepse do të jenë e ardhmja e shahut.

Duke u rikthyer jo shumë vite larg në kohë, Partizani ishte thuajse i shkrirë si klub…

Kur kam ardhur në vitin 2016, Partizani ekzistonte me vetëm një ekip, me atë të volejbollit për femra. Ideja ime ishte që të riktheheshin sportet e lojërave me dorë, por gjithashtu gradualisht edhe sportet e tjera. Ju e dini që Klubi Partizani i ka humbur të gjitha ambientet dhe disiplinat sportive janë pakësuar. Ndryshe nga Tirana, ne nuk kemi ambiente për zhvillimin e stërvitjeve në të gjitha sportet dhe paguajmë qira për ambientet.

Siç dihet, nga grabitja e ambienteve në Klubin Partizani, klubi mbeti pa terrene dhe tani mundohemi duke marrë salla apo terrene sportive me qira për aktivitetet tona. Pra, një pjesë e buxhetit na kalon për të paguar qiratë. Në vitin 2016, kur kam ardhur, klubi ka qenë pothuajse i shkrirë.

Nuk ekzistonin disiplinat dhe kishte mbetur vetëm ekipi i volejbollit për femra në kategori të dytë. Më pas filloi një mbështetje e mirë nga ministria në atë kohë, kur ishte zonja Nikolla, ndërsa me ardhjen në Bashkinë e Tiranës, buxheti pothuajse është trefishuar dhe jemi shumë të kënaqur. E vetmja mangësi që kemi janë ambientet për të zhvilluar aktivitetet. Por infrastruktura është e vështirë, sepse kërkon investime të mëdha dhe vende për t’i ndërtuar ato. Ideja jonë është që me mbështetjen e bashkisë, të paktën të ndërtojmë ndonjë palestër për sportet e lojërave më dorë.

Pra, infrastruktura vijon të jetë një prej problemeve më të mëdha të sportit në Shqipëri…

Natyrisht që sporti gjithmonë kërkon financim, jo vetëm në aspektin e sportistëve, por edhe në infrastrukturë. Sidomos shumësportëshi ka problem me infrastrukturën, sepse në futboll janë ndërtuar stadiume nga shteti dhe ka pasur mbështetje. Ka ndryshuar tërësisht pamja e fushave ku zhvillohen ndeshjet apo stërvitjet.

Kjo gjë mendoj se duhet bërë edhe në shumësportësh. Mendoj se duhet të rikonstruktohen të gjitha palestrat dhe pallatet e sportit nëpër rrethe. Në Korçë, në Vlorë apo edhe në Tiranë tek “Asllan Rusi”, janë salla të parikonstruktuara prej vitesh. Besoj që do të ketë një projekt për t’i rregulluar këto terrene, si dhe palestrat e shkollave, sepse sporti zhvillohet duke pasur infrastrukturë.

Cili është komenti juaj për projektin e qeverisë për sportin në shkolla, që këtë vit ka nisur të aplikohet për basketbollin dhe volejbollin?

Mendoj që është një projekt shumë i mirë, sepse rigjallëron klasat sportive, atë që ne e kemi pasur para viteve ‘90, ku shumica e shkollave kanë pasur klasat sportive në sporte të ndryshme. Rigjallërimi i klasave sportive ka të bëjë me zhvillimin e sportit në shkolla dhe natyrisht më pas nga këto klasa sportive, elementët cilësorë do të furnizojnë edhe klubet profesioniste dhe elitare. Masiviteti bën që të rritet edhe cilësia dhe të dalin sportistë që do të furnizojnë klubet dhe më vonë edhe ekipet kombëtare.

Mendoj që është diçka shumë e mirë dhe nëse shtrihet në të gjithë Shqipërinë, ashtu sikurse shikoj që po bëhet, është fantastike si ide. Ligji i sponsorizimit ka mbetur në vendnumëro, ndryshe nga bastet sportive që priten të legalizohen së shpejti. Cili është opinioni juaj për këto dy çështje? Ligi i sponsorizimit është një ligj që të gjithë e diskutojmë, që duhet përmirësuar dhe duhet rishikuar nga fillimi. Ndërsa për sa u përket kompanive të basteve sportive, natyrisht me iniciativën për hapjen e tyre, të ardhurat që mund të sjellin do të jenë një mbështetje më e fuqishme për sportin.

ARTIN LLESHAJ – Arena e Lajmit


Partizani në sezonin e ri, drejtori Muça karikon armatën e kuqe: Të marrim fronin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook