“Luftova për të qenë si Stankoviçi”, Barela tregon udhëtimin e karrierës dhe pengjet: Ëndërr të isha shok dhome me Ronaldon

Ndonëse për të debutimi në Champions në këtë sezon ishte dyfish më i hidhur, duke qenë se përveç humbjes u dënua edhe me stolin, pas paraqitjes së dobët në derbin me Milanin, për Nikolo Barelën nuk ka asgjë që mund të lëkundë durimin e tij të fortë. Fundja, një ndeshje e mbrapshtë mund t’i ndodhë kujtdo, por për të qenë lider nevojitet karakter dhe është kjo që nuk duhet të mungojë kurrë:

BARELA

“Nuk është një pankinë apo një humbje që mund të më turbullojë mua si person. Personat që kam përkrah janë më të rëndësishmit në jetë, janë ata që më frikësojnë, por mbi të gjitha ata që më japin shtysën e duhur: Prindërit e mi, bashkëshortja dhe vajzat e mia, – bën hyrjen e tij Barela, i cili në këtë intervistë disi ndryshe, tregon edhe disa nga të fshehtat dhe pasionet e jetës së tij. Pengje në jetë? Asnjë, por në karrierë kam dy. I pari lidhet me Adrianon, të cilin do të më kishte pëlqyer ta shihja se si stërvitej. Ndërsa shok dhome do të kisha dashur që të kisha pasur Ronaldon, ‘Fenomenin’, më të fortin e të gjitha kohërave pa dyshim”.

UDHËTIMI I TIJ – Për sa i përket udhëtimit të tij në futboll, Barela ka adhuruar një tjetër mesfushor të Interit: “Vullneti për të punuar ka qenë vendimtar për të arritur deri këtu, pasi besoja tek ai që isha dhe që mund të bëhesha. Kam sakrifikuar shumë, pasi nga Kaljari të kalosh në Komo, në spondën tjetër të Italisë, larg gjithkujt që njoh, nuk ishte aspak e lehtë, por pikërisht malli për të shtrenjtët e mi më shërbeu shumë në nivel profesional dhe privat, për t’u maturuar si futbollist dhe njeri. Ndërsa Milano dhe Interi janë vendi që doja të arrija dhe nuk dua të largohem nga këtu.

Barela Inter

Idhulli im? Nga fëmijëria kam shumë kujtime, por ato që nuk harrohen janë ndeshjet e pasdites me kushërinjtë e mi në Torre delle Stele, vendlindjen time. Luaja, dëfrehesha dhe mësoja. Por në moshën 14-15- vjeçare kuptova se kisha diçka më shumë se të tjerët, një forcë, një talent, pas të cilëve vendosa që të besoj se me pak sakrificë mund të arrija lart dhe shembullin e kisha. Dejan Stankoviç, prototipi i lojtarit që e adhuroja dhe doja të isha si ai. Pak nga të gjitha, i fortë, i kudondodhur, por edhe ndërtues dhe golashënues.

Pastaj, në rritjen time ka influencuar sidomos Daniele Konti, i cili me përulësinë e tij në lojë dhe me shembullin e dashurinë me të cilën luante te Kaljari më bëri të kuptoj shumë gjëra dhe të doja edhe më shumë profesionin tim, – vazhdon mesfushori zikaltër, i cili në fund e mbyll edhe me kujtimin e golit më të bukur në karrierë. – Të zgjedhësh një gol është gjëja më e vështirë. Të parin me Interin ia shënova Slavia Pragës, por më i lidhur jam me atë në Verona.

Kjo, pasi po barazonim 7 minuta nga fundi në ‘San Siro’, në një ndeshje që nuk mund ta humbnim. E kujtoj si tani… Mora një top nga De Vraj dhe vrapova drejt qendrës, u drejtova edhe më shumë drejt portës e lëshova një goditje të harkuar në trekëndëshin e portës. Kujtoj shpërthimin e stadiumit të mbushur në kapacitet maksimal, festimin, përqafimin me shokët e ekipit… Edhe tani i ndjej në trup drithërimat”, përfundoi Nikolo Barela.

Arena e Lajmit


“Luftova për të qenë si Stankoviçi”, Barela tregon udhëtimin e karrierës dhe pengjet: Ëndërr të isha shok dhome me Ronaldon

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook