Egnatia ka qenë shumë aktive në merkaton e verës dhe prioritet kanë qenë lojtarët me moshë të re, që duke firmosur kontrata afatgjata, mund të krijojnë një bazë për vazhdimësinë e skuadrës. Njëri nga këta është edhe 21- vjeçari kavajas, Geri Selita, i cili para se të vinte tek Egnatia, ka një të shkuar në Portugali dhe te Partizani. Për “Panorama Sport”, Selita u shpreh fillimisht për aventurën e re në Rrogozhinë:
“Jam me fat që bëj pjesë në një skuadër si Egnatia, ku vërtet po mësoj shumë. Egnatia është ekipi që beson te të rinjtë, sepse drejtuesit janë largpamës. Jam i lumtur që jam bërë pjesë e këtij projekti që e ka të piketuar mirë perspektivën. Duke pasur edhe lojtarë me eksperiencë në grup, ne të rinjtë ndihmohemi mjaft për t’u rritur profesionalisht në shumë drejtime”. Më pas, 21-vjeçari flet për startin e sezonit dhe kontributin e tij.
“Mendoj se kanë qenë tri javë të mira. Mund të kishim arritur më shumë për sa u takon rezultateve. Rëndësi ka të mësojmë nga gabimet dhe të ecim përpara si ekip. Edhe pse nuk kam pasur shumë minuta në këmbë, besoj te zgjedhjet e trajnerit dhe rëndësi ka të jem i gatshëm sa herë të më thirret emri për të hyrë në fushë. Ju siguroj që edhe sikur të luaj 9 minuta apo 90 të tilla, do të jap gjithmonë maksimumin tim për skuadrën, stafin dhe tifozët. Eksperiencat në të shkuarën te Besa, Partizani e pak kohë në Portugali më kanë mësuar të jem i durueshëm.
Të punoj fort pa marrë parasysh faktin nëse do të luaj apo jo”, vijoi mesfushori 21-vjeçar. Vllaznia është kundërshtari i radhës i Egnatias dhe në lidhje me këtë takim, Selita u shpreh: “Vllaznia është një ekip solid dhe ne jemi të vetëdijshëm për kualitetet që ka. Ata e nisën me humbje kampionatin, por në dy javët pasuese rregulluan diçka. Ne luajmë në shtëpinë tonë dhe kemi përkrahjen e pakursyer të tifozëve, kështu që shpresojmë shumë në marrjen e rezultatit pozitiv ndaj shkodranëve”.
FATMIR EFICA – Arena e Lajmit