Flamurtari, ultimatum për tri pikët. Në ndeshjen e sotme përballë Korabit, që do të luhet në Vlorë në orën 15:00, nuk pranohet asnjë rezultat tjetër veç fitores. Ultimatumi vjen nga drejtuesit më të lartë të klubit.
Administratori Sinan Idrizi dhe tifozët presin kthesën pas humbjes me Luzin në ndeshjen e parë, çka solli edhe dorëheqjen e trajnerit Dritan Resuli. Objektivin për këtë ndeshje, ua bëri të qartë futbollistëve gjatë një mbledhjeje përpara sfidës me Korabin, drejtori teknik i klubit, Alfred Ferko.
“Panorama Sport” mëson se në fjalimin përpara skuadrës, Ferko tha se tri pikët janë detyrim dhe nuk do të pajtohet me rezultat tjetër.
“Ndeshja me Korabin duhet që të fitohet. Me asnjë rezultat tjetër nuk do të pajtohemi. Kthesa është një domosdoshmëri dhe duhet të nisë që nesër (sot). Nuk ka më asnjë justifikim.
Pavarësisht se kampionati është shumë i gjatë, nuk duhet që të lejojmë të na ikin pikët e plota në asnjë takim. Objektivi i çdo takimi është fitorja. Jemi këtu të gjithë bashkë për ta çuar Flamurtarin ku e ka vendin, në Superiore.
Ndaj, shumë të kujdesshëm në ndeshjen me Korabin, luani me zemër dhe jepni më të mirën tuaj si profesionistë. Luani se keni ardhur në një klub të madh, mos e harroni këtë gjë”, u ka thënë drejtori Ferko, lojtarëve.
TRAJNERI – Marcelo Troisi bën prezantimin e parë për këtë sezon te Flamurtari dhe braziliani pohoi se ka ardhur në Vlorë për të ngjitur skuadrën në Superiore.
“Objektivi është që ta fitojmë këtë ndeshje. Korabi është një skuadër që luan fort dhe mirë, ndaj ne duhet të bëjmë maksimumin për të arritur fitoren.
Nuk do të kemi shumë ndryshime në skuadër dhe do të qarkullojmë lojtarët që kemi brenda grupit.
Objektivin e kemi madhor pasi synojmë Superioren, ndaj kundër Korabit qëllim kemi vetëm fitoren”, u shpreh Troisi përpara ndeshjes për “Panorama Sport”.
Klubi kërkon që tifozët të jenë të shumtë sot në mbështetjen e skuadrës dhe për këtë qëllim ka vendosur që hyrja të jetë falas, përveç tribunës qendrore që është me pagesë dhe abone.
– Arena e Lajmit