Atalanta, Sasuolo, Salcburg. Tri barazime në transfertë që kishin ndezur shqetësimet e para në ambientin e Milanit. Mos vallë skuadra që luante më mirë larg “San Siro”-s kishte humbur magjinë?
Me sa duket jo, sepse kampionët e Italisë fituan në një fushë të vështirë si ajo e Sampdorias, ku së fundmi kishin frenuar Juventusi dhe Lacio. Tri pikët erdhën pas 50 minutave të kaluara në inferioritet numerik. Në rrugën e titullit, një stacion fitues si ai i së shtunës mund të të japë shtysë të madhe, sepse nëse ndaj Atalantës e Salcburgut mund të barazohet, diçka e tillë nuk mund të pranohej ndaj një ekipi që ndëshkohet mesatarisht dy herë për ndeshje. Kalendari i ngjeshur justifikon deri diku, pasi qasje si ajo kundër Sasusolos kur Milani tentonte më shumë topin e gjatë se pasimet e shkurtra nuk do të tolerohen më.
BETEJË
Stefano Pioli kishte përgatitur një ndeshje ndryshe. Duhej të ishte mbrëmja e Origit, gara ishte projektuar për të rritur dinamizmin e sulmuesit, në bashkëpunim me De Ketelaren, të konfirmuar në një bosht belg. Dëmtimi, pothuajse i minutës së fundit, i Origit e ktheu Zhirunë në qendër të skenës. Dhe në mënyrë të pashmangshme lindi një Milan më muskuloz, veçanërisht kur Leao përshëndeti shokët pas të kuqit që i valëviti në fytyrë arbitri Fabri. Përjashtimi i portugezit e ktheu edhe më shumë në një ndeshje për debutuesin si titullar Pobegën, teksa zëvendësimi Mesias-Tomori gjysmë ore nga fundi vetëm sa e theksoi vullnetin e Milanit për ta kthyer në duel force. Pioli vendosi lojtarët e tij në mbulime një për një të rivalit dhe terreni u kthye në fushëbetejë. Zgjidhja emergjente funksionoi: mund të kishte përfunduar ndryshe nëse Gabiadini dhe Verre do të kishin qenë më me fat, natyrisht, por në përgjithësi plani i betejës i Milanit u rezistoi ofensivave vendëse. Gjithashtu, ajo fitore shërben për një dozë të mirë qetësie, pasi përjashtimi i Leaos dhe barazimi i Xhuriçiçit mund t’u kishin cenuar nervat kuqezinjve, por kjo nuk ndodhi.
TIMONI DJATHTAS
Aspekti tjetër i pazakontë i Milanit të fundit në transfertë është korsia nga vijnë golat. Salmakers goditi në Salcburg, Mesias në Marasi, skena e tij e preferuar. Është hakmarrja e atyre që luajnë në të djathtë, e kuptuar si një varg kompetencash. Milani në përgjithësi anon hapur majtas ku është Teo, Leao dhe pa të cilin i takon Rebiçit (kur është mirë). Ndaj Napolit ende nuk dihet kush do të luajë, pasi kroati dhe portugezi nuk do të jenë. De Ketelare mund të jetë zgjidhja, teksa Adli dhe Diaz presin shansin si fantazistë.
Arena e Lajmit