Lasse Wellander, kitaristi i disa prej hiteve më të mëdha të grupit legjendar ABBA, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare.
Në një deklaratë zyrtare, familja e tij shkroi: “Me trishtim të papërshkrueshëm duhet të njoftojmë se i dashuri ynë Lasse ka ndërruar jetë. Lasse së fundmi u sëmur me atë që doli të ishte kancer, i cili ishte përhapur dhe herët të Premten e Madhe ai ndërroi jetë i rrethuar nga të dashurit e tij. Ti ishe një muzikant fantastik dhe modest si pak, por mbi të gjitha, ishe një bashkëshort, vëlla dhe gjysh i mrekullueshëm”.
Kitaristi ka luajtur një rol të madh në shumicën e regjistrimeve dhe turneve ikonë të grupit gjatë viteve ’70 dhe ’80 dhe gjithashtu pati një dorë në krijimin e albumit të fundit të grupit të titulluar “Voyager”, i cili u publikua në vitin 2021. Ai luajti në gjithsej 24 nga regjistrimet në studio të grupit, duke përfshirë të tetë albumet e tyre në studio.
Wellander punoi edhe si kompozitor për një numër melodish filmash, duke përfshirë partiturën për filmin suedez Änglagård, i cili u publikua në 1992. Albumi i tij i fundit solo u publikua në vitin 2006, me titullin anglisht “Simple Ticket”.
Gjatë gjithë karrierës së tij ai u nderua me një sërë çmimesh, duke përfshirë Medaljen Mbretërore Suedeze prestigjioze të quajtur Litteris et Artibus në 2010.