“Vetëm Gjykata mund të vendosë për konfiskimin e pronave”, Halimi: Në rastin e Prestige Resort nuk ka pasur fare proces. Dalja nga Arbitrazhi? Rama po luan blofin

Eduart Halimi

Avokati i njohur, ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka folur sot në News24 për procesin në Gjykatën Kushtetuese që ka të bëjë me VKM-në për konfiskimin e pronave.

Halimi tha se është e paimagjinueshme dhe se qeveria, cilado qoftë ajo, nuk mundet që të konfiskojë me VKM pronat e qytetarëve dhe bizneseve.

“Duhet një proces i rregullt ligjor siç përcaktohet nga Konventa europiane dhe Kushtetuta e Shqipërisë.
Asnjë qytetari nuk mund t’i merret prona pa një proces të rregullt ligjor. Procesi i rregullt parashikohet në nenin 6 të Konventës Europiane. Vetëm Gjykata mund të vendosë për konfiskimin e pronave.
Çdo tentativë për të marrë kompetencat e pushtetit gjyqësor është në kundërshtim të hapur me kushtetutën dhe konventën”, deklaroi Halimi.

Ai tha se as pronat e krimit nuk mund të konfiskohen pa një proces të rregullt ligjor.
“Marrim shembullin kur një organizatë kriminale, ka krijuar një pasuri të paligjshme, në asnjë rast qeveria nuk e ka këtë mundësi, këtë e bën prokuroria dhe gjykata. Ka një proces që parashikohet në kushtetutë për banditin, kriminelin, organizatën kriminale, jo më për një qytetar të thjeshtë. Është e paimagjinueshme që qeveria me një vendim kryeministror të shkatërrojë me tritol apo konfiskojë pronën e qytetarëve”, tha Halimi.

Ai theksoi se për Gjykatën Kushtetuese është një sprovë, sepse është gjykata e re. “Ata do të vendosin nëse do të jenë në anën e së drejtës, apo do të frustrohen nga qeveria. Këta duhet të tregojnë të dalin në këtë dimension”, u shpreh ish-ministri.

Halimi foli dhe për implikimet ligjore që sjell VKM-ja e qeverisë.
“E para marrja e kompetencave të prokurorisë. Kryeministri dhe qeveria e kanë nisur këtë proces me argumentin se prokuroria nuk po e bën detyrën e saj. Nëse dikush ndërton pa leje, ndryshon dritaren, apo bën punime pa leje, kjo përbën çështje penale dhe mënyra se si reagojnë institucionet shqiptare, të shkojnë në prokurori të bëjnë kallëzimin dhe prokuroria bën veprimet zyrtare. Kjo është procedura normale në një shtet demokratik në Shqipëri dhe në gjithë vendet e BE. Qeveria tha se meqenëse prokuroria nuk po e bën punën e saj, atëherë këtë kompetencë po e marrim ne. ‘E vendos unë kush është e ligjshme, kush është e paligjshme, kush duhet të shkojë në burg dhe kush do ta legalizojë’. Kjo është marrja e pushtetit”, tha Halimi.

Sipas tij, implikimi i dytë ka të bëjë me shkeljen e barazisë mes qytetarëve, duke e bërë vetë qeveria nëpërmjet aksionit, sot shkoj në Golem e shkatërron me tritol, nesër në Shkodër, pra nuk ka një program të qartë, por e bën në mënyrë preferenciale. Shkelet barazia para ligjit. Ky është dhe pretendimi që ka grupi parlamentar i PD-së.

Implikimi i tretë ka të bëjë me pjesën e shkeljes së hierarkisë së normave. Në Kushtetutën e Shqipërisë, neni 16 ka një hierarki normash. Kodi Penal që është në një hierarki më të lartë se vendimi i qeverisë parashikon se kur ti shkel rregullat për ndërtimin, atëherë Kodi Penal thotë se duhet të bëhet kallëzim penal, të shkosh në prokurori. Kjo futja e vendimit të qeverisë dhe dhënia fuqi VKM që është poshtë hierarkisë prek Kushtetutën.
Implikimi i katërt ka të bëjë me shkeljen e së drejtës kontraktore. Qeveria thotë se e detyron qytetarin që këtë pronë t’ia falë qeverisë”, tha Halimi.

Ai shpjegoi më tej se asnjë qeveri nuk mund të marrë pronën e qytetarëve apo ta shkatërrojë me tritol duke rikujtuar vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe se në rastin e Prestige Resort nuk pati një proces gjyqësor.
“Implikimi i pestë dhe më i fortë, ka të bëjë me marrjen e pronës, nenin 42 të Kushtetutës. Asnjë qeveri nuk mund të marrë pronën e qytetarëve, nuk mund ta shkatërrojë me tritol. Është e paimagjinueshme se si një qeveri mund të shkatërrojë pronën e një qytetari, një biznesi me tritol. Këtë nuk e bën dot pa një proces ligjor. janë të paktën 17 vendime të gjykatës europiane të cilat kanë konstatuar shkelje, kur është konstatuar shkelja e të drejtës së pronës nga ana e qeverisë dhe ato janë sanksionuar. Ka pasur shkelje të së drejtës së pronës në rastet kur procesi ligjor nuk ka qenë i rregullt. Në rastin e Prestige Resort nuk ka pasur fare proces”, tha Halimi.

Por çfarë ndodh nëse Gjykata Kushtetuese nuk e shpall këtë VKM antikushtetuese?
“Të dëmtuarit duhet të vazhdojnë proceset në gjykatat shqiptare dhe ndërkombëtare. Duhet të ezaurojnë të gjitha rrugët ligjore brenda Shqipërisë dhe më pas t’i drejtohen Strasburgut për kompensim. Çdo njeri që është prekur nga këto procese duhet të shkojë para gjykatave shqiptare”, tha ai.

Sipas tij, gjykatat në Shqipëri ndihen të intimiduara. “Kemi një sistem gjyqësor që është i intimiduar për shkak të presionit qeveritar lidhur me kundërshtimet e vendimeve të qeverisë. 70% e vendimeve të Gjykatave Administrative shprehin pro qeverisë. Është gjithë korpusi i gjykatë administrative që ndihen në presion. Një proces i tejzgjatur i vettingut më shumë se 3 vjet do vendosë gjithë sistemin gjyqësor nën pushtetin e qeverisë. Këtë e ka thënë Komisioni i Venecias”, u shpreh Halimi.

Sa i përket deklaratave të kryeministrit Edi Rama se po analizohet mundësia për të dalë nga juridiksioni i Arbitrazhit, Halimi tha se është blof pasi ka zero shanse që të ndodhë apo të ketë efekte prapavepruese.

“Qeverisë nuk i pëlqen Gjykata Ndërkombëtare. mendoj që deklarata në rastin më të mirë është blof sepse mundësitë për t’u tërhequr nga Arbitrazhi Ndërkombëtar, qoftë ai i BB-së, qoftë ai i Parisit, në rastin më të mirë është blof, në rastin tjetër për të kënaqur ata që dëgjojnë. Nuk mund të ndodhë. Teknikisht çdo qeveri mund të tërhiqet, por nuk mund të ndodhë. Në të gjitha vendimet e Arbitrazhit, ka zero shanse që të ketë efekte prapavepruese.
Sivjet Gjykata e Arbitrazhit në Paris bën 100 vjet. Aty bën pjesë pjesa më e madhe e vendeve në botë dhe ka zero mundësi që ti ë dalësh dhe të jesh me ato 2-3 vende që nuk janë. Akti mund të bëhet, se ti mund të dalësh dhe nga NATO. Mendoj që është blof, nëse do ta kishte seriozisht, do të kishin dalë dhe ekspertë të tjerë ta artikulonin. Është një vendim jashtëzakonisht i rëndë për Shqipërinë. I rëndë sa i përket barrës monetare dhe po aq i rëndësishëm për përmbajtjen.
Ne nuk e dimë përmbajtjen. Po aq e rëndësishme është pse është marrë ky vendim. Përveç faktit të vlerës, qeveria dua t’ua bëjë të qartë qytetarëve se cili është vendimi i Gjykatës. Duhet t’i lexojmë ato 272 faqe që përmban vendimi”, deklaroi Halimi.

Për pagesën për Becchettin, Halimi tha se është pjesë e ekzekutimit. “Gjyqfituesi angazhon studio që merren me mbledhjen e borxheve dhe ato fillojnë me ekzekutimin e vendimit duke bllokuar asetet që ka qeveria shqiptare anë e mbanë botës. Si ish-avokat i përgjithshëm i shtetit, si jurist për një kohë të gjatë dhe funksionar, do ta këshilloja qeverinë të mos vazhdojë të paguajë avokatë të tjerë për të pamundësuar vendimin, po të bëjë zgjedhje sa më oportune. Çdo ditë që ecën vendimi parashikon interesa bankare, ka penalitete. Nëse do ishte bërë më përpara do kishim kursyer lekët e avokatëve në Apel. Ky nuk është gjyqi i parë që ka humbur shteti shqiptar. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që qeveria të bëjë këtë lloj beteje. Ta mbante pending duke rritur pjesën e interesave bankare. Ka hyrë në negociata për uljen e shifrës”, tha ai.

“Vetëm Gjykata mund të vendosë për konfiskimin e pronave”, Halimi: Në rastin e Prestige Resort nuk ka pasur fare proces. Dalja nga Arbitrazhi? Rama po luan blofin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook