EKSKLUZIVE/ Derdhi gjak në fushë për Bylisin, Janku tregon vuajtjen ndaj Laçit

Luan sezonin e tij të pestë në Ballsh dhe po rikthehet si një pikë e fortë në mbrojtje. Delvinjoti Stivian Janku është tashmë një nga lojtarët më me eksperiencë të Bylisit. Në Laç ishte nga lojtarët më të dalluar e madje duke bërë edhe performancë të mirë dhe pavarësisht dëmtimit të rëndë që pësoi, pas çarjes në vetull, ai nuk e la lojën, por vijoi që të luante, e madje duke qenë ndër më të mirët në fushën e blertë në një transfertë delikate.

janku

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Janku flet për ecurinë e Bylisit në këto javë të para të Superiores dhe tashmë kur jemi në gjysmën e fazës së parë, sipas tij, ekipi është një grup simpatik dhe ka ende për të treguar në fushën e blertë. Ndër të tjera flet për fitoren e madhe në Laç dhe sfidën e radhës në shtëpi ndaj Egnatias, një tjetër “kockë e fortë”.

Janku, një fitore në Laç në kohën dhe momentin e duhur. Në 5 vite që keni qenë pjesë e Bylisit nuk kishit fituar asnjëherë në këtë transfertë…

Po, ekipi dha maksimumin, ne e kishim vlerësuar kundërshtarin e radhës. U munduam që të bëjmë më të mirën, vlerësuam çdo minutë të ndeshjes, sapo nisi takimi e deri në fund. Klubi dhe stafi na dhanë besim që kur hymë në fushë, kështu që edhe ne bëmë maksimumin tonë për 90 minuta.

Në fund u shpërblyem për djersën dhe sakrificën që bëmë. Kjo fitore na vlen si kthesë pas asaj humbjeje me Partizanin. Në të shkuarën nuk kemi fituar dot në Laç, por kemi fituar dhe marrë pikë në fushat e shumë ekipeve me traditë në elitë.

Janku

Çfarë ndodhi në dyluftimin me Velkoskin?

Ishte një goditje nga këndi, unë largova topin kur pashë këmbën e kundërshtarit që kishte vendosur takën dhe më pas nga gjaku kuptova se isha dëmtuar. Sepse nuk po ndieja më asgjë, ndërkohë që dëgjoja të gjithë shokët që më afroheshin dhe më jepnin kurajë duke më thënë: “Hajde se s’ka gjë, do të kalojë”. Shtrëngova dhëmbët, u futa në fushë dhe u përpoqa që edhe i fashuar të bëja më të mirën, sepse unë luaj vitin tim të 5-të dhe padyshim që karriera në Ballsh zë një vend të rëndësishëm tek unë. Në fund e rëndësishme është që ne fituam, edhe falë supergolit të Trumçit.

Ishit në gjendje të vijonit lojën, sepse edhe pas mjekimit të parë kishit gjakderdhje?

Në ato sekondat e parë m’u duk e vështirë, por nga ana tjetër shtrëngova dhëmbët dhe doja të luaja. Për hir të së vërtetës, nga mënyra se si e kishim përgatitur këtë ndeshje, por edhe ambienti i qetë para kësaj transferte, si dhe psikologjia që na bënte stafi duke besuar te ne, më bëri të ngrihesha në këmbë dhe i thashë vetes:

“Mos u dorëzo”. Shokët gjithashtu më dhanë kurajë. Pastaj në një transfertë delikate nuk mund të dilja aq kollaj nga fusha edhe për faktin se po bëhej një ndeshje shumë e luftuar dhe ma ndiente zemra që do të dilnim me kokën lart në fund. Por me kalimin e minutave nuk mendoja më për veten, por për lojën dhe skuadrën, sidomos pas golit që shënuam.

Si e shihni këtë Bylis në Superiore duke pasur parasysh se keni qenë pjesë e ekipit edhe në dy vite në elitë?

Shiko, është ende herët që ne të flasim për objektiva. Objektivi ynë është ndeshja e radhës. Ne bëjmë maksimumin në stërvitje dhe në çdo ndeshje që ne futemi përpiqemi të japim më të mirën nga vetja jonë. Pastaj dua të them se ndikon shumë edhe mosha dhe elementi i ri. Të gjithë kemi një qëllim, që të prezantojmë Bylisin sa më denjësisht e kështu edhe vetë do të dalim krenarë dhe me kokën lart. Bylisi, edhe këtë sezon, ka një grup shumë të mirë dhe punohet me dëshirë. Të gjithë jemi për një qëllim.

Dy ndeshje në fushën tuaj, si i shihni? Sa ju favorizojnë për sigurinë e mëtejshme në garë?

Po, kemi dy ndeshje radhazi në shtëpi, fillimisht me Egnatian e pastaj me Erzenin. Por do të mendojmë për ndeshjen e parë me Egnatian, pastaj Erzenin. Nuk mund të flas më shumë, duhet që të bëjmë detyrën e shtëpisë duke nisur nga sfida e radhës, ka kohë për Erzenin.

ERJON SALIU – Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


EKSKLUZIVE/ Derdhi gjak në fushë për Bylisin, Janku tregon vuajtjen ndaj Laçit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook