Moviola e javës së katërt/ Velkoski gjakos Jankun, Bylisit iu mohua një penallti në Laç. Arbitrat mbyllin sytë (VIDEO)

Java e katërt e Kategor isë Superiore ka qenë disi më e qetë për sa u përket rasteve për moviolë, por gabimet e “xhaketave të zeza”, gjithsesi nuk kanë munguar. Në Takimin LaçiBylisi, federata kishte përzgjedhur arbitra të elitës dhe me stemë të FIFA-s, të cilët gabuan në rastin e ndërhyrjes së gabuar me pasojë çarjen në kokë të Jankut të Bylisit nga Velkoski. Nga pamjet del se gjyqtarët kanë gabuar duke i mohuar një 11-metërsh Bylisit, por duke ditur se ballshiotët fituan, fatmirësisht rasti i bie që të mos ketë peshë vendimtare në rezultatin final. Në Rrogozhinë dhe Durrës, ndërhyrja e VAR-it ndihmon gjyqtarin kryesor te goli i Mustës dhe kartoni i kuq për mbrojtësin e Kukësit. Dy takime u mbyllën pa asnjë rast moviole. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e katërt në Superiore:

asd

TEUTA – KUKËSI 0-0Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos), R.Avdo (Tiranë), A.Mahmuti (Elbasan); VAR: E.Jorgji, E.Ganxhi (Elbasan)

FSHF-ja riktheu arbitrin nga Patosi, Olsid Ferataj, të gjykonte një ndeshje të Kategorisë Superiore pas plot gjashtë muajsh. Arbitri ishte bërë protagonist në gjysmëfinalen e Kupës, Partizani-Vllaznia, 0-0, luajtur më 31 mars në Elbasan. Pak ditë pas atij takimi, Ferataj u dhunua në qytetin e tij, ndërsa në javën e katërt arbitroi Teuta-Kukësi. VAR-i në këtë takim e ndihmoi Feratajn në ndryshimin për ngjyrën e kartonit ndaj mbrojtësit të Kukësit, Tiago Ferreira.

43’ Mbrojtësi Tiago Ferreira mban nga fanella sulmuesin e Teutës, Rubin Hebaj, i cili po dilte i vetëm me portierin. Ferataj akordon faull për durrsakët dhe ndëshkon me karton të verdhë Ferreirën. Mirëpo, pas sinjalizimit nga VAR-i, arbitri shikon rastin dhe ndërron vendimin, duke anuluar të verdhin dhe dhënë direkt kartonin e kuq për portugezin, duke qenë se i hoqi mundësinë e golit Hebajt.

57’Lorenco Vila del i vetëm me portierin, por nuk arrin të gjuajë pasi në momentin e fundit i ndërhyn Altin Bytyçi dhe rrëzohet në zonë. Vila kërkon penallti, por arbitri vijon lojën, duke marrë vendim të drejtë, pasi mbrojtësi i Kukësit kishte larguar topin.

79’ Kuro gjuan nga brenda zonës, Bytyçi devijon sferën me dorë në korne. Ferataj heziton fillimisht, më pas jep vetëm goditje këndi, jo 11- metërsh. Vendim i drejtë, pasi mbrojtësi i Kukësit ka qenë në një pozicion normal, me duar të mbledhura. Edhe VAR-i nuk ndërhyn.

LAÇI-BYLIS 0-1Gjyqtarë: E.Hamitaj (Lezhë), A.Koçiaj (Tiranë), E.Gjoka (Lezhë) / VAR: J.Xhaja (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)

Laçi-Bylisi ishte vlerësuar maksimalisht nga FSHF-ja, pasi si në fushë dhe në VAR ishin arbitra me stemën e FIFA-s. Rastet për moviolë nuk munguan në këtë takim, ku padyshim gjykimi bëhet me faj për mosvlerësimin e rastit të minutës së dhjetë, ku Janku dëmtohet në kokë nga ndërhyrja e gabuar e mbrojtësit të Laçit. Nëse VAR-i do ta kishte vlerësuar këtë moment mund të kishim penallti dhe karton, minimumi i verdhë, për Velkoskin, ndërsa dy rastet e tjera për penallti u zgjidhën mirë nga gjykimi.

10’Në një krosim të Qardakut në zonë, nga një goditje këndi, Janku që vjen në ndihmë të sulmit gjuan me kokë në drejtim të portës topin, por aty fut këmbën edhe Velkoski që e çan në vetull mbrojtësin e Bylisit që gjakoset. Mbrojtësit i Laçit nuk ka kontakt me topin, por ka goditur direkt kokën e lojtarit të Bylisit. Në këtë rast gjyqtari nuk merr asnjë masë ndëshkimore, pasi po të jepte të verdhë duhej dhënë edhe penallti për Bylisin. Padyshim, duke parë edhe pasojën e ndërhyrjes së gabuar të Velkoskit në zonë, gjyqtari Hamiti, pse jo më pas edhe ata të VAR-it, Xhaja dhe Çokaj, duhet ta kishin vlerësuar rastin dhe të akordonin penallti për Bylisin dhe karton të verdhë për mbrojtësin e Laçit. 11- metërsh i mohuar për Bylisin.

66’ Laçi pretendon për penallti, por Hamiti ka qenë shumë afër aksionit, ku topi ka pasur kontakt vetëm në kraharorin e Trumçit.

94’Laçi pretendon sërish për penallti. Pas një krosimi në zonë, vendësit pretendojnë për prekje të topit me dorë, por duket që Trumçi e ka kapur topin me kokë. Gjyqtari Hamiti ka vijuar lojën me të drejtë.

EGNATIA – VLLAZNIA 3- 0Gjyqtarë: K. Cjapi, I. Tartari, O. Grabova (Fier); VAR: O. Yzeiraj (Patos) – AVAR: M. Qose (Lushnjë)

Gjyqtarët i ka shpëtuar sistemi VAR në ndeshjen e Rrogozhinës. Në minutën e 24-t, pas shpërthimit të Xheksonit, Musta godet dhe topi pasi prek shtyllën, pushon në rrjetë. Goli anulohet nga anësori Grabova për pozicion jashtë loje. Mirëpo, me ndërhyrjen e sistemit VAR, u konfirmua se Musta ka shënuar gol të rregullt, pasi mbahej në lojë nga qendërmbrojtësi Juriç. Kësisoj, ngritja e flamurit për golin e dytë të Egnatias nga anësori u korrigjua nga VAR-i.

KASTRIOTI-TIRANA 0-0Gjyqtarë: A.Koçi (Durrës), M.Llukmani (Vlorë), H.Lisaku (Durrës) / VAR: I.Myrtja, J.Podgorica (Shkodër)

Ndeshje e menaxhuar mirë nga gjyqtarët, pa probleme dhe kontestime nga të dyja ekipet.

PARTIZANI – ERZENI 0-1Gjyqtarë: O.Kuka, N.Bregasi, Xh. Mani (Tiranë) / VAR: K.Barjamaj, D.Agaraj (Tiranë)

Ndeshje e menaxhuar mirë nga gjyqtarët, kjo edhe për shkak të rrjedhës së lojës, ku munguan rastet apo vendimet për moviolë.

Arena e Lajmit


Moviola e javës së katërt/ Velkoski gjakos Jankun, Bylisit iu mohua një penallti në Laç. Arbitrat mbyllin sytë (VIDEO)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook