Vllaznia e këtij sezoni pas katër javësh kampionat është një “deja vu” e ekipit që drejtohej nga Tomas Brdariç.
Edhe në kampionatin e kaluar, shkodranët kishin vetëm gjashtë pikë pas katër ndeshjesh, ndërsa pozicionoheshin në vendin e katërt me 1 fitore dhe 3 barazime.
Këtë kampionat kanë marrë dy fitore dhe kanë pësuar dy humbje, ndërsa aktualisht janë në vendin e pestë.
Sa u përket golave, vjet kishin shënuar 7 dhe pësuar 5, ndërsa aktualisht kanë realizuar 4 herë dhe kanë pësuar plot 6 herë, duke treguar probleme të mëdha në fazën mbrojtëse.
Megjithatë, skuadra e Josës ka shansin të bëjë kthesën në javën e pestë, ku pret Kastriotin në Shkodër, të dielën në orën 17:45.
DËMTIMET – Në ndeshjen e radhës Vllaznia do të ketë dy mungesa të sigurta për shkak dëmtimesh, pikërisht Liridon Latifin, që ende nuk është riaftësuar dhe Lorik Boshnjakun.
Ky i fundit pësoi një tërheqje muskulore në ndeshjen ndaj Egnatias dhe do t’i duhet të qëndrojë tri javë jashtë fushave.
Për fatin e tij, kampionati ndërpritet deri në fund të shtatorit dhe kësisoj do të humbasë vetëm sfidën me Kastriotin këtë javë. Ndërkohë, lajm i mirë për trajnerin Josa është rikthimi i Esin Hakajt dhe Herald Markut, që munguan në Rrogozhinë.
A. URUÇI – Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”