“Protesta nuk mbaron pa largimin e Ramës”, Indrit Hoxha për 14 majin: Nuk ka zgjedhje pa demokratët. Do ketë ministra para drejtësisë për…

Indrit Cela

Kandidati i PD-së për bashkinë e Vorës në zgjedhjet lokale të 14 majit, Indrit Hoxha, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me situatën politike në vend, duke përmendur protestën e paralajmëruar nga opozita dhe zgjedhjet e ardhshme.

Hoxha deklaroi se protesta e 11 shkurtit do jetë tubimi më i madh në historinë e Shqipërisë, ndërsa shtoi se ajo nuk do mbarojë pa largimin nga kryeministria të Ramës.

Po ashtu ai foli edhe për çështjen e hetimit për “McGonigal” teksa tha se Rama ka cenuar marrëdhënien e Shqipërisë me SHBA-në dhe se nëse do kishte drejtësi SPAK do të kishte nisur tanimë procedurat mbi hetimin e kreut të qeverisë.

Sakaq, ai zbuloi po ashtu se së shpejti do ketë ministra të qeverisë që do paraqiten para drejtësisë për shkak të pjesëmarrjes së tyre në disa afera, por duke refuzuar të përmendë emra konkretë.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, Hoxha deklaroi se në vend nuk do ketë zgjedhje pa pjesëmarrjen e PD-së, pasi sistemi politik do dalë tërësisht jashtë kohe dhe opozita do t’i drejtohet protestave. Ai vijoi duke thënë më tej se kryeministri Rama po përpiqet që të mbajë peng vulën dhe logon e PD së bashku me disa deputetë të dalë nga listat e demokratëve, por sipas tij kjo situatë do marrë fund shumë shpejt.

“Opozita është e vonuar në daljen në shesh me gjithë skandalet e krijuara nga qeveria. Duhet të ishin përgatitur kushtet për zgjedhje të parakohshme në vend. 11 shkurti do jetë realisht protesta më e madhe në 32 vite demokraci. Vendi ynë ka arritur në një pikë ku është larguar 33% e popullatës në vitet e fundit. Nëse paratë nuk do vidheshin do kishim mirëqenie ekonomike, kjo qeveria ka synim ta hedhë në erë biznesin, t’i bëjë presion mediave, etj. Jemi në një vijë të kuqe ku duhet t’i dalim për zot vendit.

Çështja McGonigal është më e rëndësishmja, Rama ka cenuar marrëdhënien tonë me SHBA-të me veprimin e tij duke korruptuar drejtorin e kundërzbulimit të FBI-së. Nëse do kishte drejtësi në vend SPAK do kishte nisur procedurat për Ramën. Këtu arrestojnë dikë për një gardh pa leje në një fshat, ndërsa kryeministri që ka korruptuar një zyrtar të lartë të FBI dhe drejtësia fle mbi dafina. Arma e fundit që na mbetet është protesta dhe revolta. Kjo protestë nuk mbaron pa largimin e Edi Ramës nga kryeministria. Do jetë në çdo formë dhe mënyrë. Opozita duhet të ngrihet në lartësinë e duhur sepse këtu flitet për demokracinë e vendit. Ne duhet të luftojmë për një demokraci të shëndoshë, ku Rama sot mban peng vulën e PD-së.

Partia Demokratike nuk bën dhunë dhe nuk ka bërë kurrë dhunë, qeveria rrëzohet me votë, por ne do përdorim çdo metodë të mosbindjes civile. Ne rrezikojmë të shuhemi si komb me ato që po bën kjo qeveri. Rama ka terrorizuar bizneset duke u bërë presione e duke u vendosur gjoba. Ne do protestojmë që Rama nuk do mund të kalojë çdo vijë të kuqe që ka. Çdo njeri që nuk del në shesh për të rrëzuar Ramën nuk është pjesë e opozitës, është i blerë nga Rama. Nëse këta njerëz nuk mendojë se duhet të jenë në shesh ata janë me Ramën.

As për SHBA kjo situatë nuk është e lehtë, një drejtor të tillë nuk e korruptojnë dot as shtete si Rusia apo Kina dhe vjen një kryeministër nga një vend si Shqipëria dhe e arrin. Fundi politik i Ramës do jetë shumë i tmerrshëm, nuk do çuditesha nëse do kishim një ekstradim të tij drejt SHBA-së. Shmangia e tij tregon se ai është në ditët e tij të fundit të qeverisjes. Unë di që partnerët tanë i kanë kërkuar dorëheqjen dhe përgatitjen për zgjedhje të parakohshme. Kur janë përjashtuar rreth 20 deputetë të opozitës si mund të jetë seancë. Kryetarja e Kuvendit i ka përjashtuar. Komisioni hetimor parlamentar duhet të jetë padiskutim, unë i bëj thirrje SPAK që të hapë çështjen për Ramën mbi McGonigal. SPAK është në gjykimin tim në funksion totalisht të Ramës. Këtu nuk merren me Ramën, janë vjedhur 430 milionë euro për to dhe nuk ka akuzë për të kur të gjithë zyrtarët e tij po arrestohen. Kam informacione dhe ua garantoj se ministra të tjerë të tij së shpejti do përballen me drejtësinë për afera të tjera.

Protesta e 11 shkurtit është themelore edhe për ekzistencën e PD-së. Duke i dalë zot vendit ne si PD nuk vendosim partinë mbi vendin. Edi Rama me disa deputetë të opozitës të dalë nga lista e PD-së po tenton të mbajë peng vulën tonë. Do marrë përgjigjen e merituar në një revoltë kombëtare të fuqishme. Këtu është fati i opozitës shqiptare. Ai kërkon të mos na japë të drejtën që të regjistrohemi në zgjedhjet e 14 majit, kërkon të na fusë në disa labirintë ligjorë që të mos marrim pjesë. Kjo çështje do marrë fund shumë shpejt dhe vula do kthehet aty ku e meriton, në Kuvendin e 11 dhjetorit ku e rithemeluam.

Nuk ka zgjedhje në Shqipëri pa siglën e PD-së. Sistemi politik del totalisht jashtë kohe dhe do ia lëmë në dorë protestave. Ne nuk do i bojkotojmë zgjedhjet, PD është e detyruar të hyjë dhe të fitojë zgjedhjet. Gjykata ka vendosur dhe na ka dhënë të drejtë neve, nuk del dot gjykata mbi vullnetin e demokratëve, do ishte marrëzi totale. Faji është i vetëm një personi, ky është kryeministri i këtij vendi. Pas sistemit të patronazhistëve kanë ngritur edhe aktivistin, këta po rikthejnë sigurimin e Shtetit dhe njëherë. Është detyra jonë për të mos e lejuar këtë gjë që t’i japim shpresë qytetarëve.

Në momentin e fushatës ne do paraqesim programin tonë. Bashkia ku unë kandidoj është e falimentuar sot, në Vorë janë ndërruar 4-5 kryetarë bashkie. Bashkia nuk ka një godinë, ka marrë disa ambiente me qira. Pikat tona kryesore do jenë në bërjen e planit të infrastrukturës, dëmshpërblimi i të prekurve nga tërmeti që ende nuk janë paguar dhe mungesa e ujit të pijshëm. Nuk shkohet në Evropë me këto kushte”, tha ai.

“Protesta nuk mbaron pa largimin e Ramës”, Indrit Hoxha për 14 majin: Nuk ka zgjedhje pa demokratët. Do ketë ministra para drejtësisë për…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook