Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo, në një deklaratë për mediat është shprehur se rrugët pa standard në Shqipëri janë dyfish më shtrenjta se në BE.
Sipas tij me këto para “blihen zgjedhjet, mediat dhe korruptohen Mcgonigalë”. Po ashtu ai ka bërë thirrje që më 11 shkurt, ora 12, qytetarët të bashkohen në protestën e opozitës para Kryeministrisë.
Deklarata e plotë:
Qeveria greke ka vendosur te ndërtojë një autostradë të re Janinë-Kakavijë, pjesë e Korridorit Blu, që lidh Greqinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Duke respektuar standardet evropiane të ndërtimit, autoritetet greke, në studimin e tyre të fizibilitetit, kanë përcaktuar një kosto për këtë autostradë, prej 4.5 milionë euro për kilometër.
Pjesë e të njëjtit korridor është edhe segmenti shqiptar Lekaj-Fier me gjatësi 46 kilometra, koston e të cilit qeveria Rama e ka nxjerrë me 7 milionë euro për kilometër, edhe pse 42 kilometrat e kësaj rruge ndërtohen mbi segmentin ekzistues të rrugës. Edhe pse nuk jemi të sigurt nëse projekti do t`i përmbahet standardit evropian të ndertimit, përsëri çmimi është thuajse dyfish më i lartë.
Por nuk mbaron me kaq. Pjesë e të njëjtit korridior është edhe segmenti Thumanë- Kashar. Këtu absurdi njeh lartësi të reja, sepse ky segment kushton 13 milionë euro për kilometër, ose rreth 4 herë më shtrenjtë. Për të njëjtin standard ndërtimi, sigurisht, në rastin më të mirë.
Por edhe sikur te jetë kështu, nga të dhënat zyrtare del se Greqia po ndërton minimalisht dy herë më lirë se Shqipëria. Në Greqi kosto e punës është shumë më e shtrenjtë. Edhe materialet e ndërtimit janë më të shtrenjta. Atëherë si është e mundur? Ka vetëm një shpjegim: diferenca e lartë përfaqëson taksën e vjedhjes, taksën e përhershme të vjedhjes së qeverisë Rama, e cila zbatohet kudo dhe kurdoherë, pa asnjë pushim apo vrarje ndërgjegjeje. Ajo aplikohet në çdo rrugë, ne çdo shkollë, në çdo spital, në çdo tunel të hapur, në çdo shërbim të prokuruar!
Me paratë e taksës së vjedhjes, mbushen xhepat dhe blihen votat. Dhe kjo furnizon rrethin vicioz të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht. Para’ për pushtetin, dhe pushtet për paratë! Pastaj, sepse këto para janë pa fund, blihen shqiptarë dhe të huaj, blihen gazetarë dhe media, praktikisht blihet gjithçka, madje edhe McGonigal-i i FBI-së, por edhe sa e sa Mcgonigalë të tjerë. Këta shërbejnë për të shantazhuar kundërshtarët, shërbejnë për ta goditur opozitën, por edhe për t`i bërë makiazhin e rradhës qeverisë së kalbëzuar të Ramës.
Rrugët tona kushtojnë dyfish më shtrenjtë se në BE, edhe pse standardet janë dyfish më të ulëta. Por të paktën standardin e protestës, te rebelimit duhet ta kemi të njëjtë me europianët. Si ata duhet të ngrihemi, siç bëjnë në Paris, Athinë apo Romë.
11 shkurt, ora 12, para Kryeministrisë, i presim të gjithë ata që nuk ua mban xhepi të paguajnë për rrugë që u hapin rrugën llogarive milionere offshore të Ramës dhe ministrave të tij.