Po kalon një moment fantastik, kuksiani Peposhi: Laçin e mundim me tifozët, ja sekreti i Erzenit

Ardit Peposhi ishte një prej protagonistëve të fitores ndaj Partizanit, duke dhënë asistin e golit që shënoi braziliani Nonato. Mbrojtësi i majtë, që mbushi dje 29 vjeç, në një intervistë për “Panorama Sport”, foli për momentin e mirë që po kalon Erzeni dhe pse zgjodhi të ishte pjesë e shijakasve pa aventurës në Kosovë.

Ardit Peposhi

Ardit, së pari pse zgjodhe Erzenin pas dy viteve në Kosovë me Llapin?

Ardhja te Erzeni ishte një përgjegjësi dhe sfidë e madhe për mua, sepse ky klub ka traditë dhe kthehej pas shumë vitesh në Superligë. Pasi fola me trajnerin Kapllani dhe drejtuesit e Erzenit, mora garanci për sa i përket ndërtimit të ekipit dhe u binda të firmosja. Vij pas dy viteve të suksesshme në Kosovë me Llapin, duke fituar tre trofe. Vendosa të kthehesha sërish në Superiore dhe zgjodha që ta bëjë këtë si pjesë e Erzenit. Jam i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi.

Fakti që skuadra u ndërtua me shumë vonesë, të vuri në dyshime për ecurinë që mund të kishit apo besoje te një paraqitje e mirë?

Ndërtimi i ekipit ka qenë pak i vështirë, sepse koha në dispozicion ishte e paktë për të gjetur elementët e duhur. Unë mendoj se kemi pasur fat, pasi duke filluar nga porta dhe reparti i mbrojtjes, janë lojtarë me shumë eksperiencë dhe që kanë luajtur në ekipet më të mira në Shqipëri.

Duke e njohur mirë kampionatin, kjo na e bëri më të lehtë, pasi qoftë unë, Xhika, Krasniqi dhe Troplini jemi munduar të fusim një frymë sa më pozitive në grup, bashkë me stafin teknik. Nuk është e lehtë, pasi shumë lojtarë erdhën nga vende dhe kultura të ndryshme, por në Shijak ndihen si në shtëpinë e tyre.

Sipas jush, cili është sekreti i këtij starti kaq pozitiv?

Mendoj se kemi një grup shumë të bashkuar dhe që nga ndeshja në ndeshje ne vijmë duke u përmirësuar. Shumë njerëz janë skeptikë për Erzenin, ngaqë nuk e njohin ekipin në detaje, por ju them me bindje se kemi në përbërje shumë elementë cilësorë, që do të surprizojnë nga java në javë. Kemi marrë tetë pikë në këto katër ndeshje, por kemi merituar edhe më tepër.

Dhatë asistin e golit të fitores ndaj Partizanit dhe sipas statistikave, Erzeni kundërsulmon më së shumti në krahun e majtë, aty ku dhe ju luani…

Për sa i përket kundërsulmeve, që shpesh herë marrim nga krahu i majtë, ndodh kështu sepse bashkë me Kadriun, mundohemi të jemi sa më shumë rrezik për kundërshtarët. Shpresoj që të korrigjojmë më shumë shënjestrën dhe të shënojmë më tepër gola. I kemi të gjitha mundësitë me lojtarët që kemi në dispozicion.

Të shtunën luani ndaj Laçit, që vjen pas 3 humbjeve radhazi. Si e shikoni këtë ndeshje?

Ndaj Laçit do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Ata janë një ekip që edhe sezonin e kaluar patën nisje jo të mirë, por u rikthyen duke dalë nënkampionë. Duhet të jemi të gjithë të përqëndruar dhe të japim maksimumin, për të shpresuar tek një rezultat pozitiv. Me mbështetjen e tifozëve shijakas, që janë një ndihmë shumë e madhe, do ia dalim.

Meqë përmendët tifozët, keni një mesazh për ta?

Tifozët e Erzenit më kanë surprizuar më shumë te ky ekip. Janë tifozë të zjarrtë, që na kanë mbështetur edhe jashtë Durrësit. Për ne janë shumë të rëndësishëm, sepse na motivojnë shumë. Iu bëj thirrje të jenë sa më të shumtë kundër Laçit, sepse me ta ndihemi më të fortë.

RONALD FAJA – Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Po kalon një moment fantastik, kuksiani Peposhi: Laçin e mundim me tifozët, ja sekreti i Erzenit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook