Interi duket se i ka lënë pas tri disfatat e këtij sezoni (Lacio, Milan e Bajern) pas rikthimit te fitorja fillimisht në kampionat ndaj Torinos e më pas edhe në Champions League ndaj Viktoria Plzenit.
Pikërisht kur mekanizmat e Inzagit nisën të funksiononin, një dëmtim mund t’ia prishë planet trajnerit zikaltër.
Hakan Çalhanoglu ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e majtë, një dëmtim jo i panjohur në Apiano Xhentile.
E njëjta diagnozë po mban larg fushave edhe Romelu Lukakun që prej javës së fundit të gushtit, një shembull aspak optimist.
Por pavarësisht se pritet që edhe rikuperimi i turkut të ketë të njëjtin ritëm me atë të belgut, e sigurt deri më tani është mungesa e tij në ndeshjen e së dielës ndaj Udinezes.
Edhe pse të tjera ekzaminime më të thelluara do të bëhen javën e ardhshme dhe do të përcaktojnë saktë kohën e rikthimit të tij, mesfushori do të ketë në favor pauzën e kombëtareve falë së cilës nuk do të humbasë shumë ndeshje të zikaltërve.
Nëse do të konfirmohet ndalesa njëmujore si në rastin e belgut, rreziku për Çalhanoglunë është që jo vetëm të humbasë Romën, por edhe dy ndeshjet e radhës në Champions ndaj Barcelonës.
Por deri atëherë, Inzagi duhet të plotësojë fillimisht boshllëkun që do të lërë 28- vjeçari ndaj friulanëve të dielën, kur ishte projektuar titullar.
Tani kartat në dispozicion janë tri, por përveç Galjardinit, “të përfituarit” e mëdhenj mund të jenë Mikhitarian e Asllani.
MIKHITARIAN E ASLLANI – Mikhitarian është në rolin e tij natyral në vendin e turkut, arsye për të cilën u afrua në skuadër.
Armeni, falë karakteristikave dhe përvojës, është patjetër në “pole” për të zëvendësuar Çalhanoglunë, aq më tepër pasi ka treguar se arrin t’ia transmetojë skuadrës gjithë eksperiencën dhe qetësinë e tij e jo më kot e ka nisur titullar ndaj Bajernit në Champions.
Por Asllani nuk duhet anashkaluar. Inzagi specifikoi se elbasanasi mund të bënte edhe fantazistin, pavarësisht se e shikonte më shumë si zëvendës-Brozoviç.
Zikaltrit, ama, mund të shfrytëzojnë të gjithë energjinë e 20- vjeçarit, që mund të luajë kudo në mesfushën me tre, madje mund të marrë edhe vendin e Barelës.
Kristjani, pak i përdorur deri më tani dhe që luan mirë me të dyja këmbët, mbart me vete efektin surprizë dhe është një xhol që Inzagi mund të zgjedhë ta luajë në çdo moment.
Përgatiti: NISLI GJINI
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”