Jonida Zeqo, një prej dhjetë të pandehurve për aferën korruptive të inceneratorit të Elbasanit zhduket pa gjurmë dhe gjykata e posaçme deklaroi se ajo po tenton t’i fshihet drejtësisë.
Ndaj të pandehurës gjykata kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest shtëpie”, por kur policia dhe oficerët e SPAK trokitën në derën e saj për ta njoftuar për seancën gjyqësore, ajo nuk është gjetur në banesë dhe asnjë person nuk jep informacion për vendndodhjen. Këto të dhëna u relatuan nga trupa gjykuese gjatë seancës këtë të enjte.
Relatorja tha se e pandehura nuk është gjetur në shtëpi, ku gjykata kishte urdhëruar të qëndronte, e për këtë arsye ka dyshime se po i fshihet drejtësisë. Sikurse rezultoi gjatë procesit, e pandehura i kishte dërguar dy e-mail gjykatës ku i konfirmonte marrjen dijeni për datën dhe orën e seancës gjyqësore dhe kërkonte të përfaqësohej nga avokati Saimir Visha.
Dy prokurorët e çështjes, Klodian Braho dhe Arben Kraja theksuan se e pandehura nuk mund te konsiderohet e pranishme në proces, përderisa nuk mund të verifikohet se e-mailet janë të shkruara prej saj. Ndaj gjykata nuk i mori në konsideratë dhe rrëzoi kërkesën e Zeqos, për tu mbrojtur nga avokati i zgjedhur.
Në kushtet, kur e pandehura nuk gjendet, SPAK pritet të procedojë me shpalljen ne kërkim të saj, përderisa ka thyer masën e arrestit në shtëpi. Për aferën e inceneratorit të Elbasanit SPAK akuzon krahas të tjerëve, ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetit socialist Alqi Bllako, ndërsa po vijon hetimet për ish-zv.kryeministrin Aben Ahmetaj.