ANALIZA/ Shtatë gola në pesë ndeshje, mbrojtja e Milanit fut ujë

Dy, një, një, një, dy. Nuk është skedina, por sekuenca e golave të pësuar nga Milani në pesë ndeshjet e fundit. Për një skuadër, e cila vjet fitoi titullin duke rezultuar mbrojtja më e mirë, përbën shkak shqetësimi.

MILAN

Edhe Majk Menja nuk po e përjeton mirë. Perfeksionit, siç është, ka gjasa të mos ketë vënë gjumë në sy pas humbjes me Napolin. Në sezonin e kaluar Milani nuk kishte pasur kurrë një muaj pa të paktën një ndeshje pa u ndëshkuar, ndaj edhe natyrshëm lind pyetja:

Ç’po i ndodh prapavijës kuqezi? Që nga fundi i gushtit kur barazoi me Sasuolon dhe përgjatë gjithë shtatorit janë pësuar 7 gola në pesë ndeshje dhe asnjë prej tyre nuk është mbyllur me rrjetën e paprekur.

Pas fitores në Champions, trajneri Pioli ishte shprehur i shqetësuar për qasjen defensive, sepse në atë takim kuqezinjtë ishin ndëshkuar, edhe pse ishin me prapavijë të rreshtuar. Edhe goli i Simeones të dielën mbrëma është simptomë e së njëjtës sëmundje. Shumë lojtarë duke kërkuar topin dhe argjentinasi që gjen këndin e duhur për të shënuar.

THELBI I ÇËSHTJES – Qartësisht kampionët e Italisë kanë një problem dhe ndëshkimet që kanë ardhur nuk kanë qenë rastësore. Individët vijojnë të jenë penalizues. Dest vlerëson keq momentin dhe shkakton penallti. Tomori gjithashtu humbet përqendrimin dhe nuk markon rivalin.

Brenda këtyre dinamikave ka histori të tjera. Kalabria që zëvendësohet sepse ishte i dëmtuar, ndërkohë që çuditërisht Kalulu e nisi nga stoli. Duke mos vënë në dyshim profilin e danezit, duhet pranuar se ajo ndaj Napolit dhe shtatshkurtërve të asaj skuadre nuk ishte ndeshja e duhur për të.

Praktikisht gjithmonë ka qenë dikush në repart që ka bërë diçka ndryshe nga e kaluara, çka po sjell gola që vështirë se kuqezinjtë mund t’i përmbysin gjithmonë.

MUNGESAT – Duhet pranuar se edhe boshllëku i lënë nga Kesi nuk është mbushur. Afrikani ka hapur një plagë, e cila nuk po rigjenerohet si duhet, pavarësisht se Tonali e Benaser kanë luajtur thuajse gjithmonë mbi mesataren. Kjo është vetëm një anë e problemit, teksa edhe për Zhirunë nuk po ka një lojtar që t’i japë pak frymëmarrje.

Francezi po shënon rregullisht, megjithatë nuk duhet harruar se së shpejti do të mbushë 36 vjeç. Ndoshta në këtë moment, ndalesa e kombëtareve mund të rezultojë një ‘balsam’ për Milanin.

Sidomos pas një ndeshjeje të luajtur mirë, por pa pikë. Kampionët e Italisë do ta rinisin pas 2 javësh kundër Empolit. Nevojitet përqendrim dhe reagim, pasi menjëherë më pas do të jetë radha e Çelsit në Champions.

Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


ANALIZA/ Shtatë gola në pesë ndeshje, mbrojtja e Milanit fut ujë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook