Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula me anë të një postimi në Facebook ka reaguar mbi situatën e emigrimit në vend teksa ka deklaruar se shqiptarët emigrojnë më shumë se 1.4 miliardë indianë nga vendi i tyre.
Sipas tij mazhoranca që drejton vendin i ka vendosur Shqipërisë një tjetër njollë të zezë pasi sipas Eurostat shqiptarët zënë vendin e 9 në Bashkimin Evropian për numrin e lartë të emigrantëve.
Ai shtoi më tej se ajo që bie në sy është fakti se Shqipëria, një vend me 2.8 milionë banorë ka më shumë emigrantë në vendet e bashkimit evropian se India e cila ka 1.4 miliardë banorë.
Postimi i plotë:
2.8 milionë shqiptarë emigrojnë më shumë se 1.4 miliardë indianë.
📍Mazhoranca e cila drejton vendin prej 11 vitesh, i ka vendosur Shqipërisë një tjetër njollë të zezë. Sipas Eurostat shqiptarët zënë vendin e 9 në Bashkimin Evropian për numrin e lartë të emigrantëve.
📍Ajo që bie në sy është fakti se Shqipëria, një vend me 2.8 milionë banorë ka më shumë emigrant në vendet e bashkimit evropian se India e cila tashmë ja ka kaluar edhe Kinës për numrin e banorëve duke shkuar në 1.4 miliardë.
📍Ndërkohë nëse shohim me kujdes listën e shteteve që ndodhen në grup me Shqipërinë për numrin e lartë të qytetarëve që braktisin vendin e lindjes, vërehet se jemi mes shteteve që janë në luftë, mes vendeve që kanë demokraci të dobët dhe ekonomi të shkatërruar.
Shpesh herë nga anëtarët e kësaj mazhorance përmendet se fenomeni i emigrimit është një gjë që ndodh në cdo vend, por Kosova ndodhet larg shifrave që ka shqipëria. Mali i Zi, Maqedoni e Veriut gjithashtu kanë shifra më optimiste se ne.
📍Të gjitha shtetet që renditen mbi Shqipërinë, kanë një popullsi aktuale shumë më të lartë se e jona: Maroku (37 mln); Turqia (85 mln); Siria (21 mln); Kina (1.4 mld); Mbretëria e Bashkuar (67.3 mln); Rusia (143 mln); Algjeria (44 mln).
Ndërsa popullsia e Shqipërisë vlerësohet në rreth 2.8 milionë banorë aktualisht, por do të jetë Censi i ri, që pritet të zhvillohet në shtator, që do të hedhë dritë mbi përmasat reale të popullsisë që ka mbetur akoma në vend.
Për nga pesha e popullsisë që jeton në BE, shqiptarët krahasohen me indianët, që vijnë pas nesh, në vend të dhjetë (India ka 1.4 miliardë banorë).