Bajern-Augsburg nuk do të shënonte vetëm disfatën e parë të kampionëve në fuqi të Bundesligës për sezonin e ri, por do të pasqyronte një krisje të thellë besimi mes trajnerit dhe lojtarëve.
Strategu i rekordmenëve gjermanë nuk ka kërkuar më shtigje për të mbrojtur lojtarët, por i ka akuzuar drejtpërdrejtë si përgjegjësit kryesorë në disfatën e pësuar dhe ecurinë negative gjatë 4 javëve të fundit në kampionat:
“Situata vazhdon të mbetet e njëjta edhe ndaj Augsburgut në shpërdorimin e rasteve para porte. Papërgjegjshmëri të tilla na kanë zbritur në vendin e 5-të.
Nëse ekipi nuk do të prodhonte, atëherë do dilja publikisht si fajtori kryesor, por ishin plot 19 goditje dhe në fund 0 gola, 0 pikë”, shprehej i zhgënjyer 35-vjeçari.
Ish-trajneri i Lajpcigut nuk u la me aq, pasi ai shkoi deri në pikën ekstreme, atë të dorëheqjes nëse lojtarët nuk ndryshojnë reagim përpara portës kundërshtare:
“Pas Augsburgut asgjë nuk do të jetë e njëjtë, do të filloj të mendoj për gjithçka, përfshi edhe të ardhmen time dhe në fund do të shikojmë se si gjërat do të rrjedhin me kalimin e kohës”, përfundoi tekniku i klubit më të titulluar në Gjermani.
Fjalë të tilla mund të interpretohen edhe si kërcënim ndaj lojtarëve, madje duke filluar nga ndeshja e ardhshme ndaj Bajern Leverkusenit, pas ndeshjeve të kombëtareve në Ligën e Kombeve.
Pozita bëhet akoma më e komplikuar kur prestigjiozja gjermane “Bild” deklaron se në marrëveshja mes Bajernit dhe Nagelsmanit përmban një klauzolë lirimi pas dy vitesh nga firmosja e saj ndaj trajnerit 35-vjeçar.
Pra, pas përfundimit të këtij sezoni, bavarezët mund të ndahen me trajnerin pa asnjë dëmshpërblim. Emri më i përfolur shfaq në dritë Tomas Tuhelin, një emër jo i panjohur për drejtuesit nga Mynihu.
Në vitin 2018 ai u pa si opsion, por Hënes dëshironte Niko Kovaçin.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”