Pas 5 javëve kampionat dhe një vëmendjeje të madhe mediatike nga rezultatet plotësisht të merituara, të arritura deri më tani, Erzeni gjen qetësinë e nevojshme.
Klubi shijakas ka pasur thuajse të njëjtët lojtarë, që kanë mbajtur mbi shpatulla këto ndeshje të para të kampionatit me shumë pak rrotacion dhe gjithë këto minuta nga titullarët kanë shkaktuar deri diku dhe lodhje fizike tek ata, ku dy ndeshjet e fundit janë kryer zëvendësime në sajë dëmtimesh apo lodhjeje.
Kujtojmë këtu që ekipi i Erzenit ishte i fundit që u mblodh para kampionatit për të vijuar përgatitjet dhe një pjesë e ekipit u zyrtarizuan pas fazës përgatitore.
Fatmirësisht këto lëndime të Peposhit së fundmi apo dhe të Mehmetit më herët nuk janë për t’u shqetësuar dhe ky pushim 2-javor që vjen nga ndeshjet e Kombëtareve duket se do t’i bëjë mirë ekipit të drejtuar nga Xhevahir Kapllani për riaftësimin të kondicionit fizik të të gjithë lojtarëve.
Disa nga lojtarët, me lejen e klubit kanë shfrytëzuar këto ditë pushimi për të qenë pranë familjeve të tyre deri ditën që do të rinisë stërvitja e radhës.
Nga një këndvështrim, fakti që Erzeni nuk po i luan ndeshjet në Shijak, por në Durrës duket si disavantazh, por kjo i ka shërbyer ekipit ta shfrytëzojnë stadiumin e tyre për t’u stërvitur dhe ku ka më mirë sesa ta bësh këtë gjë në një fushë me bar natyral, ndryshe nga një pjesë ekipesh që i zhvillojnë në bar artificial, duke shmangur kështu dëmtime të tjera të mundshme gjatë stërvitjes nga terreni sportiv.
KOMBËTARET – Mësohet se në grumbullimin e Shpresave U21 ekipi i Erzenit do të përfaqësohet nga 2 lojtarë, ku fillimisht në listën e publikuar nga FSHF-ja, spikat emri i Ergi Gogës (mbrojtës i majtë, 19-vjeçar) dhe më vonë bëhet me dije se i bashkohet dhe Argel Avdiu (mesfushor i avancuar, 20-vjeçar).
Për të dy këta futbollistë është edicioni i dytë që janë pjesë e Erzenit dhe kanë pasur minutat e tyre në ndeshjet e zhvilluara deri tani, duke u përfaqësuar denjësisht.
RONALD FAJA – Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”