VKM e Qeverisë për konfiskimet e pronave, ish-ministri i Drejtësisë, Halimi: Ja shtatë shkeljet e Kushtetutës

Eduard Halimi 733x450 1

Nga Eduard Halimi

7 IMPLIKIMET E RËNDA KUSHTETUESE TË VKM PËR KONFISKIMET QEVERITARE DHE HESHTJA E PATOLERUESHME E GJYKATES SË RE KUSHTETUESE

VKM kontraverse dhe sui generis për konfiskimet qeveritare në Shqipëri, duke se ka shqetësuar shumë Rrjetin e Gazetarëve Investigativë (ëëë.reporter.al) dhe vetë Zërin e Amerikës (ëëë.voa.al), të cilët publikojnë cdo ditë konstatimet e tyre, por jo ndërtuesit, shoqata e të cilëve çuditërisht (ose jo) hoqi dorë nga padia në Dhjetor 2022, ndërsa padia kushtetuese e opozitës pret ende të shqyrtohet.

Shqetësimi i mediave ndërkombëtare per konfiskimet qeveritare, gjobitjet e shkatërrimet me tritol të pronave jo nëpermjet një proçesi ligjor gjyqësor, por nëpermjet një proçesi arbitrar ekzekutiv bazuar në zinxhirët e fadromave qeveritare nuk lidhet me ndërtuesit, por thelbësisht me mbrojtjen e interesit të të qeverisurve, qytetarëve dhe padyshim të shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

Këtij shqetësimi i bashkohem plotësisht sot si profesionist i ligjit, duke përcjellë për lexuesit 7 implikime të rënda kushtetuese të kësaj VKM-je.

VKM merr kompetenca që i takojnë eskluzivisht drejtësisë. Argumenti qeveritar se meqënëse drejtësia (prokuroria) nuk funksionon, atëhere këtë pushtet do ta ushtrojmë vetë, është shkelje e rëndë dhe flagrante e Kushtetutës, si një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës, ku e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit ligjor.

Qytetarët, personat fizikë e juridikë, të cilët kanë fituar të drejta nëpërmjet kontratave noteriale (bona fede) nuk mund të humbasin këto të drejta nëpërmjet akteve qeveritare. Qeveria nuk mund të përkeqësojë në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të personave, të mohojë të drejtat e fituara ose të shpërfillë interesat legjitime të qytetarëve të saj.

Vendimi është selektiv, bazohet në aksione të fadromave,  diku për bregdetin, diku në qendër. Dikujt i vendoset tritol, dikujt gjobë, dikujt i vendoset konfiskim dhe gjobë, gjobë dhe tritol, tritol dhe ndjekje penale,  etj etj. Aksionet nuk mund të jenë kurrë standard kushtetues, pasi ato detyrimisht sjellin një trajtim diferencues. Standartet e dyfishta, trajtimi i diferencuar shkelin rëndë nenin 18 të Kushtetutës dhe janë diskriminues.

Shpronësimi, si një mjet juridik i jashtëzakonshëm, mund të vendoset vetëm me ligj dhe vetëm për një interes publik, përkundrejt një shpërblimi të drejtë. Shpronësimi me vendim qeverie dhe konfiskimi, pa shpërblim, është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe parimit te proporcionalitetit.

Konfiskim qeveritar,  duke hequr të drejtën e pronësisë apo të drejta reale (sic janë kontratat e porosisë, kleringut, hipotekat ligjore), pa një proces ligjor (proces gjyqësor), ku duhet të thirresh, të dëgjohesh nga një gjykatë e pavarur dhe panashme, e caktuar me ligj, përbën padyshim shkelje të rëndë e flagrante të nenit 42 të  Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit shtesë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

VKM bie ndesh me Kodin Civil, kur detyron palët të lidhin një kontratë parablerje apo akt noterial (kontratë dhurimi), jashtë vullnetit të tyre. VKM bie ndesh me Kodin Penal, kur parashikon dënim të ndryshëm për shkeljen e pretenduar ligjore, duke shkelur rëndë parimin e ligjshmërisë, duke konfonduar qytetarët mbi konceptin se kush veprime janë të dënueshme penalisht dhe kush jo.

Vendimi kontrovers qeveritar për konfiskimet nuk ka dalë në  zbatim të ndonjë ligji, sic kërkohet nga neni 118, por ashtu sic dhe deklaron qeveria, (shih reagimin për VoA), tani po harton ligjin për të mbeshtetur VKM dhe aktet e tjera nënligjore, duke cënuar rëndë parimin e  shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave. VKM bie ndesh me Ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” që qëndron më lart në hierarkinë e normave se akti nënligjor,  sic sanksionohet nga neni 116 i Kushtetutës.  Akti cënon rëndë kufijtë e rezervës ligjore të ekzekutivit për të nxjerrë akte sipas nenit 118. Kjo rezervë nuk është kurrë absolute.

E për të gjitha sa me sipër dhe jo vetëm, (të paktën 16 vendime te GJEDNJ, 3 vendime të GJED dhe 6 vendime të GJK) VKM kontraverse qeveritare për konfiskime ka implikime të rënda kushtetutese dhe duhet shpallur sa më shpejt të jetë mundur si e papajtueshme me Kushtetutën,(si një leksion për qeverinë sot dhe asaj nesër) ndërkohë që Gjykata jonë Kushtetutuese e re edhe pse ka me shumë se 4 muaj që ka marrë në dorë cështjen ende nuk ka një datë për shqyrtimin e saj, duke lënë të drejtat kushtetuese të qytetarëve në mëshirë të zinxhirëve të fadromave apo tymit të tritolit e duke sjellë të tjera pasoja gati të pariparueshme e implikime të tjera ligjore, procese në dyert e drejtësisë shqiptare dhe ato ndërkombëtare.

Dhe kjo heshtje e Gjykatës së re Kushtetuese është tërësisht e patolerueshme.

VKM e Qeverisë për konfiskimet e pronave, ish-ministri i Drejtësisë, Halimi: Ja shtatë shkeljet e Kushtetutës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook