EKSKLUZIVE/ 600 ditë bardheblu, rrëfehet Orges Shehi: Si e dua Tiranën në derbi ndaj Partizanit (E PLOTË)

Orges Shehi ka nisur një sfidë të re me veten. Të fitojë titullin e dytë kampion dhe të jetë mbreti i derbeve. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Shehi analizon Partizanin dhe se si do ta shohim skuadrën bardheblu këtë kampionat. Shehi është trajneri më jetëgjatë i epokës “Halili”. Për statistikë, Shehi në sfidën me Partizanin shënon ndeshjen e 70-të si trajneri i bardhebluve. 

ORGES SHEHI

Me Teutën ishte ndeshja e 69-të. Në këto një vit e tetë muaj, Shehi ka grumbulluar 38 fitore, 14 barazime dhe 17 humbje. Golavarazhi është 120:62, duke fituar një titull kampion me Tiranën. Në Superiore janë 61 ndeshje, 119 pikë të grumbulluara dhe një mesatare prej 1,95 pikësh. Shehi gjithashtu ka thyer rekordin e Maganit për jetëgjatësinë në stol, sepse ka mbushur 601 ditë nga emërimi i tij si trajner i Tiranës, më 27 janar 2021.

Profesor, keni fituar duke dominuar sfidën me Teutën, duke u mbyllur gojën kritikëve?

Fituam dhe në fund të fundit e rëndësishme është fitorja. Për skuadrën, më shumë sesa për kritikat. Në fakt, kritikat nuk është se më bëjnë shumë përshtypje. Atë punë kanë njerëzit. Do të flasin, do të bëjnë të tyren. Gjithsecili e sheh futbollin sipas këndvështrimit të vet dhe kur je nga jashtë e ke shumë të lehtë të flasësh.

Çfarë ndodhi dy javët e mëparshme. Ndikoi çështja e Qefalijës, fati apo diçka tjetër?

Mendoj se në Rrogozhinë fituam një ndeshje të vuajtur pas asaj që ndodhi me Qefalijën. Me Vllazninë janë situata që në futboll nuk ndodhin shpesh. Edhe pse ishim në disavantazh të dy golave dhe me një lojtar më pak skuadra ka reaguar shumë mirë. Ndoshta sfida me Vllazninë mund të jetë më e mirë se ajo me Teutën, por nuk arritëm të merrnim pikë. I tillë është futbolli. Luan mirë ama nuk merr pikë.

Ndeshje si ajo me Vllazninë dhe Teutën është Tirana juaj?

Unë dhe ne si drejtues duam të jemi skuadër në ekuilibër në radhë të parë. Skuadër që kur vijnë rastet të shënojmë. Në çdo takim kemi pasur raste. Edhe kur kemi luajtur mirë, edhe kur kemi luajtur keq.

Raste kemi pasur ndoshta më shumë se sezoni i kaluar. Duhet të jemi një skuadër që kur të vijë shansi të materializohet në gol, por duke qenë në ekuilibër dhe të vëmendshëm. Duke u kthyer pas, duke parë situatat, golat që kemi pësuar janë situata shumë të lehta që mund të evitohen. Vlerësimi dhe zgjidhja e situatave. Këtë duhet të vlerësojmë.

Në derbi mbushni 70 takime në stolin e Tiranës. Ndoshta një dhuratë edhe për ditëlindje?

Derbi dihet se çfarë sjell. Ne do ta përgatisim me qetësi këtë ndeshje. Kemi dy javë në dispozicion për këtë sfidë. Është një ndeshje që të dyja skuadrat vijnë me rezultate të mira dhe pozicione në renditje. Ama është një ndeshje ku nuk ka vlerë renditja apo çfarë ke bërë më parë. Çdo gjë zerohet dhe niset nga e para. Një takim që ne duam ta interpretojmë me shumë qetësi. Shumicën e derbeve i fiton tifozëria në shkallët e stadiumit dhe nuk duhet të na rrëmbejë emocioni. Dhe duke na rrëmbyer emocioni nuk i bëjmë gjërat mirë.

Keni ndryshuar stil loje. Një sfidë e re për Shehin këtë sezon?

Patjetër që është sfidë e re. Kemi ndryshuar sistem loje dhe ndoshta mund të jetë e çuditshme në Europë. Një skuadër që dominon kampionatin e vjetshëm në të gjitha aspektet, ndërron modul loje.

Kjo vjen edhe për shkak të prurjeve të reja, largimeve e afrimeve që kemi pasur në skuadër, dhe normalisht modulin e lojës trajneri do ta ndërtojë në bazë të lojtarëve që ka. Nuk jemi perfektë. Koha ka qenë shumë e pakët për disa lojtarë, të cilët erdhën në fund të merkatos. Janë pesë lojtarë në javën e fundit. Edhe atyre u duhet kohë. Gjithsesi, loja do të jetë e sanksionuar në bazë të kundërshtarëve që do të kemi përballë. Kampionati është i gjatë.

Përjashto sfidën me Kukësin, si e keni parë Partizanin këto kohë?

Unë mendoj se është një skuadër që ndërtohet për të qenë në majat e renditjes. Gjithmonë rivali ynë i përhershëm. Dhe kur është ekip që ndërtohet me lojtarë kualitativë, atëherë gjithçka bëhet më e bukur. Të mos harrojmë se është fillimi i kampionatit dhe ka shumë javë përpara. Pas javës së parë ekipet do të njihen me objektivat. Ka edhe skuadra poshtë që duan të ringrihen.

Shumë ndryshime në ekip?

Ju e thatë edhe më lart është një sfidë e re. Dhe sfidë e re është për mua, për bashkëpunëtorët e mi, për lojtarët që kanë ardhur. Kemi afruar lojtarë me cilësi dhe ambicie, të cilët do të ndjekin rrugën e atyre që ikën nga Tirana. Një sfidë e re për të gjithë.

Pengu juaj i merkatos?

Nuk kam. Ju personalisht e dini që unë nuk jetoj me të kaluarën, por me të tashmen. Do të mundohemi që të bëjmë më të mirën me këta lojtarë që kemi. Nuk kam përse të them: të kishim këtë, atë apo të kishim kaq apo aq. Kjo është situata. Duhet të përqendrohemi. Të punojmë, sepse na pret një kampionat i gjatë dhe shumë i luftuar këtë vit.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit

 

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


EKSKLUZIVE/ 600 ditë bardheblu, rrëfehet Orges Shehi: Si e dua Tiranën në derbi ndaj Partizanit (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook