Romelu Lukaku është mungesa e madhe e Interit në këtë moment të vështirë për zikaltrit.
Tërheqja muskulore në pulpën e majtë e pësuar që në fund të gushtit e ka detyruar belgun të humbasë plot 6 ndeshje të zikaltërve, një periudhë gjatë së cilës është përpjekur që të rikthehet sa më shpejt.
Nga puna në Apiano Xhentile e deri te fluturimi në Belgjikë për të punuar me fizioterapistët e kombëtares, vuajtjet e sulmuesit duket se po shkojnë drejt fundit.
Dje, 29-vjeçari ka prekur fushën, për ta vazhduar aty rikuperimin e tij, lajmi më i mirë për zikaltrit, të cilët shpresojnë ta shohin në fushë ndaj Romës.
Pikërisht takimi me verdhekuqtë më 1 tetor është edhe shënjestra e “Big Rom”-it, që ka filluar numërimin mbrapsht për t’u kthyer në dispozicion të trajnerit dhe për të marrë përsëri vendin e titullarit në dyshen e sulmit krah Lautaros.
Padurimin e tij, Romelu, e ka shprehur edhe në rrjetet sociale, ku një foto e një pantere me një ikonë ore dhe mbishkrimin “së shpejti”, ka paralajmëruar punën që po kryen numri 90 dhe rikthimin e tij.
Javën e ardhshme, Lukaku pritet t’i bashkohet stërvitjes me skuadrën, ose të paktën atyre individëve që kanë ngelur në Milano pas largimeve të pjesës tjetër me kombëtaren.
Interi shpreson që qendërsulmuesi ta gjejë sa më shpejt formën optimale, sepse pa të në fushë ka humbur shumë personalitet dhe lidership.
Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”