“Çështja për financimin rus në PD, fake dhe e ndikuar politikisht”, Eduard Halimi: Qeveria pagoi biletat për dëshmitarë që mbetën anonimë

Whatsapp Image 2023 02 25 At 17.04.18 (3)

Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka deklaruar se hetimi për financimet ruse në PD, është fals dhe i fabrikuar politikisht.

Ai ka shtuar se ka qenë qeveria ajo që ka dërguar në Departamentin e Drejtësisë dëshmitarë mbi këtë çështje, ndërkohë që ende nuk njihet identiteti i tyre apo ajo që kanë deklaruar.

Halimi deklaroi gjithashtu se kërkesa e deputetëve të opozitës për krijimin e një komisioni hetimor në lidhje me hetimin për përfshirjen e kryeministrit Rama në skandalin “McGonigal” është një e drejtë ligjore dhe nuk ka hapësira për kundërshtimin e saj.

Ish -ministri u shpreh se opozita nuk bën dot hetim penal sepse e bën prokuroria, dhe se e vetmja gjë që mund të bëjë është të shohë përputhshmërinë e veprimtarisë së qeverisë me ligjin dhe Kushtetutën, me anë të një komisioni të tillë.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Nisida Tufa: Si avokat i zotit Basha për çështjen si ish ministër i Drejtësisë, si e keni parë çështjen McGonigal?

Eduard Halimi: E kam ndjekur me vëmendje, ka pushtuar prej javësh coverpage të mediave ndërkombëtare.
Kjo çështje ka vërë në një pozitë të vështirë qeverinë dhe FBI. Një nga eksponentët kryesor është korruptuar, është një akuzë fillestare, një juri sapo ka marrë një vendim por hetimet do të vijojnë dhe do të shohim se ku do të shkojë.
E kam ndjekur këtë çështje edhe me syrin e kureshtjes sepse siç thashë ishte në cover page të mediave botërore, por edhe me syrin e avokatit të zotit Basha, sepse që në fillim e kam ditur se çështja ndaj tij ishte fake, e ndikuar politikisht ku prokurorët ishin të ndikuar politikisht. Çështja kishte nisur mbi deklaratat e kryetarit të grupit parlamentar të PS dhe prokurorët nuk kishin asnjë fakt.

Kur kryqëzojmë datat, ardhjet e zotit McGonigal këtu, takimet me qeverinë dhe kur dëgjon që qeveria e ka furnizuar me materiale dhe ky ka nisur investimi në Departamentin e Drejtësisë për të nisur një hetim që në të vërtetë nuk çoi gjëkundi, kur sheh që qeveria ka paguar dëshmitarë që nuk i dimë dhe të gjithë janë kureshtarë të dinë se cilët kanë qenë këto dëshmitarë të cilëve qeveria u ka paguar biletat dhe çfarë kanë dëshmuar, të bën të ndjehesh mirë si avokat që ke pasur të drejtë në gjithë çështjen, por të bën të ndjehesh keq që një qeveri dhe një kryeministër përdor mjete të tilla për të sulmuar kundërshtarin e vet politik.

Nisida Tufa: Sa bindës ka qenë kryeministri në reagimet e tij për çështjen McGonigal?

Eduard Halimi: Nuk ka dhënë asnjë shpjegim për çështjet e ngritur nga FBI, qoftë për dëshmitarët, qoftë për furnizimin dhe për faktin që përse kishte një nevojë një kryeministër që kishte fituar dy mandate duhet të investonte për të shkatërruar kundërshtarin politik. Më vjen mirë që u sqarua e gjithë historia e zotit Basha dhe që dy prokurorët e thanë që në shkallën e parë, vetëm njëri prej tyre i ndikuar politikisht e çoi në Apel, dhe kur shkoi në Apel pastaj Departamenti i Drejtësisë tha se nuk ka asnjë çështje në lidhje me Nik Muzin dhe zotin Basha dhe Apeli pastaj mbylli dosjen sepse nuk kishte asnjë çështje. Mendoni sa energji ka harxhuar PD dhe opozita për një çështje tërësisht të stisur.

Nisida Tufa: Opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor. A duhet ngritur?

Eduard Halimi: Ngritja e një komisioni hetimor është një e drejtë e një grupi deputetësh, Parlamenti është i detyruar të pranojë një kërkesë të tillë, përveç rastit kur objekti i komisionit bie në kundërshtim me Kushtetutës.
Një komision i tillë do të verifikonte përputhshmërinë me ligjin të veprimeve të kryeministrit. Pra ato që mendoj që ka deklaruar FBI, që zotëria ka ardhur ka takuar kryeministrin, ka kërkuar dhënien e licencave të naftës që më pas janë dhënë, pastaj në këmbim të tyre ka marrë para dhe ka përdorur rolin e tij dhe ka shkuar në Departamentin e drejtësisë, sqarimi për këto çështje do i bënte mirë opinionit publik dhe është e drejta e opozitës të kërkojë krijimin e komisionit pasi në këtë rast është viktimë, kjo është e qartë. Viktima, pra PD ka të drejtë të mbrohet. Opozita nuk bën dot hetim penal sepse e bën prokuroria, e vetmja gjë që mund të bëjë është të shohë përputhshmërinë e veprimtarisë së qeverisë me ligjin dhe Kushtetutën.

Arena e Lajmit

“Çështja për financimin rus në PD, fake dhe e ndikuar politikisht”, Eduard Halimi: Qeveria pagoi biletat për dëshmitarë që mbetën anonimë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook