Historia e Albert Mahmutajt / Në 2005 fiton titullin në Tokio, sot shet fiq me 4 fëmijët e tij

Në vitin 2005 kur ishte 26 vjeç, Albert Mahmutaj merr pjesë në kampionatin botëror të arteve marciale në Tokio të Japonisë. Fiton vendin e dytë, duke u shpallur nënkampion bote në peshat e mesme.

Mahmutaj-770x420

Ajo çfarë ka marrë Alberti mbrapsht nga shteti shqiptar, për atë që arriti, janë vetëm mirënjohjet, falënderimet, dhe nderimet me fleta nderi, por asnjë vlerë monetare. Ai shprehet se edhe PD edhe PS i dhanë vetëm premtime, dhe asgjë konkrete.

Sot, pas 17 vitesh, Albert Mahmutaj tregon se ndihet i zhgënjyer për mënyrën sesi shteti shqiptar e ka trajtuar atë. Në mes 60 vendeve të tjera, Alberti arriti të nxirrte Shqipërinë nënkampione bote, dhe këtë sipas tij nuk ka arritur ta bëjë asnjë sportist tjetër shqiptar.

Alberti tregon se ka 17 vite që kërkon të drejtën e tij, atë të marrjes së një shpërblimi, por nuk ia ka arritur, edhe pse tentativat e tij kanë qenë të shumta.

 

Në një përgjigje që i ka kthyer letrave të tij, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, thuhet se kampionati ku ka marrë pjesë Alberti, nuk është një kampionat botëror, dhe si i tillë ai nuk meriton një shpërblim.

Vetë 43-vjeçari, tregon se ka pasur ftesa nga shteti grek për të përfaqësuar Greqinë në gara ndërkombëtare, por nuk ka pranuar.

Për Albertin, nëse nuk ke miq politikanë, asnjëherë nuk e fiton të drejtën që të takon.
I gjendur në këtë situatë Alberti, dhe i pambështetur nga shteti shqiptar, vendos që për të mbajtur familjen e tij, të shesë fruta në plazhin e Dhërmiut, së bashku me fëmijët dhe bashkëshorten e tij, si e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura për familjen.

Pushimet verore për 4 fëmijët e Albertit, janë puna, dielli i fortë, ecja për kilometra të tëra gjatë gjithë ditës, për të shitur fruta. Alberti thotë se kurrsesi nuk ka dashur këtë jetesë për fëmijët e tij, porse shton se nuk ka asnjë mundësi tjetër.

Nënkampioni i botës në peshat e mesme në artet marciale, ka një mesazh për të rinjtë që kanë pasion sportet.
Kjo është historia e Albert Mahmutajt, i shpallur nënkampion në vitin 2005 në artet marciale në Tokio të Japonisë. Arriti të ngrejë lart flamurin shqiptar, si shumë sportistë të tjerë kanë bërë. Por faji i vetëm i Albertit është se kjo garë ku ai mori pjesë, u zhvillua në një kohë të gabuar dhe jo në ditët e sotme, ku propaganda dhe fasada, janë më të rëndësishme sesa vetë sportisti dhe titulli që ai fiton.

Ditët e Albertit duket se do vazhdojnë të jenë të tilla. Në dimër do të gjejë ndonjë punë në ndërtim, dhe në verë së bashku me fëmijët dhe bashkëshorten do të shesin fiq, kumbulla, rrush, e dardha në plazhet e Shqipërisë, si e vetmja formë për të siguruar ca të ardhura, që do u mbajnë frymën gjallë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


Historia e Albert Mahmutajt / Në 2005 fiton titullin në Tokio, sot shet fiq me 4 fëmijët e tij

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook