Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj një ditë para seancës plenare ku do të mbahet mocioni me kryeministrin Edi Rama për çështjen ‘McGonigal’, nuk i ka kursyer ironitë.
Në një analizë të tij satirike, Gjekmarkaj imagjinon disa situata që do të ndodhin nesër, ndërsa thekson se përgatitjet kanë nisur që sot.
ANALIZA
Qameti po afrohet me hungërimat e veta. Lebetia që ai ndjell përhapet ngado. Koha është thinjur që sot. Njerëzia vrapon mos e zë qielli. E nesërmja po troket si çekan mbi deputetët shqiptarë. Seanca finale është nesër. Ditë e natë për 24 orë do jemi aty. Revolucioni përballë, Babo në ballë, të shiturit dhe qyqaret anash.
Zija e bukës dhe e urisë ka shuar çdo buzëqeshje. Tao hante sot gjithë ditën që barku i tij nesër të mos ndiej trazim e vuajtje. Zemërgjerë siç është me dha katër pica, ha tha nginju, je në opozitë s’ke lekë mbushu me brumë.
Kosta i Gramozit dhe Linditës u pa disi i maskuar me një kasketë mbi një karrocë teke me kalë. Mbi të kishte ngarkuar një sheke me djathë, dy qypa ullinj, ca groshë dhe miell, me galop vraponte dhe nuk ja kursente frustat kalit. Genc Gjonçaj si me i fuqishëm mbante një shporet për të gatuar mbi supe. Jona e uruar ca fruta në qese. Babo ishte parë në palestër teksa bënte boks. Elisa qerratesha në një poligon bënte qitje. Etilda ishte veshur me rrobat e kryqit të kuq dhe ilaçe në shporta kishte shpënë.
Kryezëvendës Lideri Muli si Edmond Dantes pas burgut kthehet për shpagim. Zjarri e helmi i fjalës do i djegin mjekrën Babos. Unë shkova që sonte dhe u fsheha në qilar kështu që revolucionaret nesër të mos me përpijnë të gjalle. Boria e Revolucionit Bana, nesër pritet të bejë çudira. Xhemali ka futur në parlament një gomar plot me armë të rënda. Çyrbja ka dy ditë që pi aq sa të mos t’i bindet as Babos kur stuhia të kërkojë heronj. Ai si shkopi i pergamberit do të bjerë mbi të paudhët. Tezja po përgatit një këngë me Termenë. Doktori që jetën ta jep e partinë jo po karikon të vetët. O Zot çfarë na pret. Dridhet fëmija në bark të nënës.
Arena e Lajmit