“E thyejmë Partizanin”, Limaj flet para derbit: Kalova verë të vështirë, por tani ka rëndësi që të ecë Tirana

Vesel Limaj pranon se ka kaluar një verë të vështirë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i bardhebluve foli për startin e kampionatit.

VESEL LIMAJ

Nuk harroi derbin, ku vitin e shkuar ishte hero në 90-minutëshin e parë, ndërsa në fund preku edhe çështjen e Europës, duke e etiketuar si nga më të vështirat që ka kaluar në karrierën e tij sportive.

Vesel keni qenë larg formës suaj normale, por tani jeni kthyer pas dëmtimit që keni pasur?

Po, kam qenë një muaj jashtë fushës. Një lëndim të lë pak pas, kështu që edhe unë kam pasur vështirësitë e mia. Edhe unë jam stërvitur fort dhe jam rikthyer në formën më të mirë të mundshme.

U kthyet ju, u kthye edhe Tirana te loja e mirë dhe te fitorja. E kam fjalën për ndeshjen me Teutën?

Ndeshja e fundit me Teutën ishte shumë e mirë nga ana jonë. I realizuam më së miri detyrat që na dha trajneri, kështu që ishte një fitore e merituar. Shpresoj që të na japë vazhdimësi kjo fitore që ne arritëm me Teutën.

Përpara është një ndeshje e madhe si derbi, e cila duhet të fitohet medoemos për pikët dhe tifozët…

Normalisht të gjithë e dimë rëndësinë e derbit. Është një ndeshje që fitohet dhe nuk luhet. Do të futemi në fushën e lojës për të dhënë maksimumin. Rruga dhe qëllimi ynë është vetëm fitorja.

Në sfidën e parë me Partizanin ju vendosët takimin me golin e shënuar. Mund ta bëni edhe këtë sezon?

Për mua ishte një gol që nuk harrohet lehtë. Ishte edhe derbi i parë imi. Tri pikë dhe një gol nuk i prisja. Realisht tani që kam luajtur disa ndeshje them se derbi është një ndeshje e veçantë.

Ju tani mund të konsideroheni një lojtar i vjetër në Superiore. Si e keni parë Tiranën këto kohë?

Normalisht që kemi pasur vështirësi në fillim të kampionatit. Është normale që të ndodhë kjo. Po të shohësh ekipin, kemi afruar shumë lojtarë të rinj. Na janë larguar shumë lojtarë. Janë gjashtështatë lojtarë titullarë, kështu që besoj se do të na duhet kohë derisa të ambientohen lojtarët. Gjithsesi, mendoj se kemi arritur një formë të mirë sportive dhe çdo javë e njohim njëri-tjetrin edhe më mirë.

Nga treshja e vjetshme e mesfushës keni mbetur vetëm ju në skuadër?

Është e vërtetë, por edhe me djemtë e rinj kam njohje. Duke filluar me Arditin, Aleksin dhe Kallakun. I njoh mirë, edhe pse kemi luajtur kundër. Ama normalisht kur të ikën një shok si Enur Totre me karakterin e tij apo Ardit Toli, është e vështirë. Harmonia mes nesh ka qenë shumë e mirë, por edhe djemtë që kanë ardhur kanë shumë kualitet dhe besoj se do të na ndihmojnë.

Nga ana psikologjike dhe sportive keni kaluar një periudhë të vështirë. Është e vërtetë?

Po, është e vërtetë që ka qenë një verë e vështirë. Nga të gjitha vitet ka qenë një verë jo e lehtë, sepse ju e dini se si na shkuan ndeshjet në Kupat e Europës. Nga ana personale, normalisht që nuk jam i kënaqur me ato paraqitje që bëra në Europë. Nuk dorëzohem dhe jeta vazhdon.

Sezonin e shkuar shënuat gola. Këtë vit keni një objektiv?

Normalisht që çdo lojtar ka objektivat e tij. Personalisht dua ta ndihmoj ekipin me asiste apo gola. Në fund ka rëndësi që të ecë ekipi dhe unë ta ndihmoj me asiste apo gola.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”


“E thyejmë Partizanin”, Limaj flet para derbit: Kalova verë të vështirë, por tani ka rëndësi që të ecë Tirana

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook