Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati i ftuar në studion e emisionit “Frontline” ka folur pas fjalimit të kryeministrit Rama në Parlament ditën e sotme për rastin “McGonigal” si edhe për skenarët e mundshëm të protestës së nesërme të opozitës ndër të tjera.
Murati deklaroi se sot nuk pati një mocion me debat pasi në qendër të tij duhet të ishte kryeministri i cili u largua pas fjalës së tij, ndërsa shtoi se me gjasë çështja do zgjasë pasi faktet e reja për çështjen mund të priten vetëm nga hetimi në SHBA.
Sipas tij McGonigal është zyrtari më i lartë i FBI-së i kompromentuar ndonjëherë në historinë e kësaj agjencie, ndërsa tha se Ramës i interesonte spektakli dhe krijimi i një “shoë” ditën e sotme duke përdorur batuta për të tërhequr vëmendjen nga vetja.
Sa i përket protestës së nesërme Murati deklaroi se është një skandal vetë fakti që kreu i një partie po caktohet nga gjykata dhe jo nga anëtarët e partisë, ndërsa e cilësoi atë si një formë presioni publik nga ana e Berishës për gjykatën.
“Nuk pati mocion me debat sepse nuk pati debat. Në qendër të tij pritej të ishte kryeministri. Ai nuk e ka respektin ndaj opozitës, por duhet të ketë atë ndaj Parlamentit në tërësi. Opozita kërkon prej kohësh një komision hetimor që nuk është zhvilluar. Me gjasë kjo çështjes do vazhdojë. Sigurisht që ai po fiton edhe kohë pasi nuk e di se çfarë përmban dosja e Uashingtonit ku përmendet emri i Ramës. Nuk dimë përgjimet apo dëshmitë që ndodhen aty.
Kjo mungesë respekti ndaj llogaridhënies është ajo që bie më shumë në sy. Kritikët e tij ai i ka etiketuar. është apo jo fajtor në këtë histori, Rama ka detyrimin për të dhënë llogari para Parlamentit dhe njerëzve të popullit.
Në mocionin me debat Rama nuk dha asnjë përgjigje për pyetjet e opozitës. Rama nuk ka dhënë arsye për takimet e tij me McGonigal dhe kështu nisin dyshimet për trafik influence dhe se miqtë mes Ramës dhe McGonigal i kanë përfshirë ata për këtë qëllim. Rama ka hezituar të flasë për këtë pjesë.
Informacioni që ka publiku është i njëjtë siç ka qenë para fjalimit të Ramës, ai ka heshtur sërish në një farë mënyre. Ai bën shumë takime dhe i hedh ato në rrjetet sociale, por këto nuk i ka bërë teksa ka takuar një nga zyrtarët më kryesorë të FBI-së.
Mbrojtja më e mirë është sulmi për Ramën, që akuza u është përgjigjur me tema si 21 janari për të tërhequr vëmendjen nga vetja. Arsyet se pse një mik i Ramës përdor e-mail zyrtar dhe ka pasaportë diplomatike nuk janë thënë. Faktet e reja pres që të vijnë nga hetimet në SHBA dhe jo nga zhvillimet në Shqipëri.
McGonigal ka bërë me dhjetëra takime dhe ka takuar kryeministra të rajonit, por vetëm Rama është në dosjen e Uashingtonit. Flitet për një marrëdhënie mes të dyve. Rama ka qenë në vështirësi që kur u publikua kjo çështje dhe sa herë ka dalë në mediat e mëdha botërore. Nuk kanë folur vetëm media periferike për rastin.
Shkrimi i Mother Jones për lobimin rus është publikuar në mars, ndërsa shkrimit të BIRN që flet Rama nuk përmendet lobimi rus në PD. Deri në momentin kur është njoftuar McGonigal për çështjen në zyrën e Ramës nuk ka pasur asnjë lajm për këtë çështje.
Bëhet fjalë se në historinë e FBI-së McGonigal është zyrtari më i lartë i përfshirë ndonjëherë në një aferë të tillë. Skandalet në këtë vend trajtohen me humor e batuta, ndërsa në SHBA kjo çështje po trajtohet me mjaft seriozitet. Opozita është e pafuqishme në këtë rast. E ka shumë të vështirë të ushtrojë funksionin e saj. Kanë kërkuar një komision hetimor dhe mazhoranca e bllokon atë sepse mundet ta bëjë atë.
Pati një reagim nga ambasada amerikane që tha se gjatë javëve dhe muajve të fundit nuk ka mbetur njeri pa thënë që e di se kush do shpallet non-grata. Spektakli dhe show i interesonte Ramës që vëmendja të mos ishte te pyetjet serioze. Nuk besoj se Rama e di kush do shpallet non-grata. Non grata janë shpallur edhe miq të Ramës.
Në rastin e Berishës ka pasur informacion. Vetë DASH e ka thënë që do ketë politikanë të tjerë që do shpallen non-grata, por Rama ka luajtur me këtë pritshmëri të publikuar duke shpërqendruar publikun.
Opozita gjithmonë ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit në historinë e vendit. Thirrja e opozitës është legjitime, por PD vetë ka një sfidë të madhe brenda vetes me zgjedhjet e 14 majit. I takon përfaqësuesve të opozitës të shpalosin një alternativë të besueshme, dhe të kenë një program elektoral që shqiptarët e besojnë. Sfida kryesore e opozitës nuk është mocioni apo protesta nesër, por janë zgjedhjet.
Besoj se Berisha dhe të tjerët bëjnë mirë të shohin përpara pasi Basha tanimë është histori politike. Nuk e di nëse Basha kthehet në PD, jam skeptik për këtë. Qeveria amerikane thotë që Basha ka marrë para ruse, por tani është thjesht deputet i PD-së. Me afrimin e zgjedhjeve Basha mund të bëhet edhe problem për PD-në në varësi se si do sillet.
Unë mendoj se ka 4 skenarë për 3 marsin. I pari është që vula e cila është skandal në radhë të parë pasi kreun e një partie nuk e vendos gjykata por anëtarët e saj. Ky është skandali. Skenari i parë është që kryetar të vendoset Alibeaj, i dyti të jetë Berisha, i treti që ta shtyjnë seancën gjyqësore që e kanë sport gjykatat në vend dhe e katërta që kjo çështjes të rikthehet në gjykatën e faktit dhe të gjykohet nga fillimi duke marrë disa vite.
Nuk i di pritshmëritë e Berishës por protesta është një lloj presioni publik për vendimin. Edhe Alibeaj apo Basha nëse do kishin numrat do bënin të njëjtën gjë. Nuk e di se sa mund të afektojë në mbarëvajtjen e protestës vendimi i gjykatës”, tha ai.