“Korrupsion aktiv në zgjedhje”, si nisën hetimet për shitblerje votash nga kandidati në Himarë, policia e Vlorës: Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi në pranga

Policia

Policia e Vlorës ka dalë në një deklaratë për mediat pas arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës Fredi Beleri.

Sipas policisë, hetimet nisën 4 ditë më parë pas informacioneve se disa persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues.

Në përfundim të hetimeve, në pranga kanë rënë Dhionisios Beleri alias Alfred Beleri, 51 vjeç, dhe Pandeli Kokaveshi, 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.

DEKLARATA E PLOTË
Më datë 08.05.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka regjistruar procedimin penal nr. 489, mbi bazën e referimit të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Nga aktet e administruara deri më tani në funksion të hetimit për këtë procedim penal, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë, duke iu ofruar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues.

Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e prokurorit është autorizuar kryerja e një sërë veprimesh procedurale në terren, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, me qëllim konstatimin e faktit penal për të cilin është regjistruar ky procedim penal.

Pas kryerjes së një sërë veprimesh nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në faktet e mbledhura gjatë hetimit dhe në provat e siguruara në dinamikë, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, është bërë në arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Dhionisios Beleri alias Alfred Beleri, 51 vjeç, dhe Pandeli Kokaveshi, 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328, 25 i Kodit Penal.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shumë monetare prej 40 000 lekësh të rinj. Hetimet vazhdojnë.

“Korrupsion aktiv në zgjedhje”, si nisën hetimet për shitblerje votash nga kandidati në Himarë, policia e Vlorës: Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi në pranga

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook