Argjentina fitoi një tjetër sfidë miqësore në prag të Botërorit të Katarit që pritet të ngrejë siparin në muajin nëntor.
Kombëtarja “Albiceleste” ka triumfuar 3-0 ndaj Xhamajkës, në një ndeshje miqësore të luajtur në stadiumin “Red Bull Arena” të Nju Xhersit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Serinë e golave e hapi Julian Alvarez në minutën e 13′ pas një asisti perfekt të sulmuesit të Interit, Lautaro Martinez.
Përsëri protagonist ishte Lionel Mesi, i cili shënoi një dopietë për dy minuta, respektivisht në minutën e 87′ dhe në 89′.
7 herë fituesi i “Topit të Artë” realizoi një tjetër gol “magjik” në minutën e 89′ me anë të një goditje dënimi.
Në një goditje dënimi shumë pranë zonës, ylli argjentinas ka goditur në krahun ku po qëndronte portieri i Xhamajkës, duke e dërguar mjeshtërisht në fundin e rrjetës.
Ky ishte goli i katërt për Mesin në dy ndeshje miqësore të zhvilluara, ku dy gola i shënoi edhe në fitoren ndaj Hondurasit me rezultatin 3-0.
Skuadra e Lionel Skalonit do të zhvillojë edhe një miqësore të fundit në prag të fillimit të Botërorit, kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, më 16 nëntor në orën 18:45 me atë shqiptare.
– Arena e Lajmit
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”