Teksa nuk na ndajnë shumë ditë nga zgjedhjet e 14 majit, Presidenti Bajram Begaj ka dhënë një mesazh për qytetarët shqiptarë.

Ai pohoi se nga forcat politike duhet retorikë e vetëpërmbajtur, ndërsa shtoi se zgjedhjet e lira nuk janë kusht nga BE, por detyrim ndaj qytetarëve.

 

Zoti President Begaj, pas tre ditësh në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet lokale, cili është mesazhi juaj drejtuar qytetarëve por edhe partive politike, nisur nga fakti që kjo fushatë zgjedhore ka pasur retorikë të ashpër politike mes krerëve të partive politike dhe po ashtu në gjykimin tuaj, standardi i këtyre zgjedhjeve a do reflektojë në ecurinë e procesit të integrimit europian të shqipërisë?

Presidenti Bajram Begaj:Zgjedhjet janë një mundësi ku qytetarët e shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet votës. Natyrisht që standardi i zgjedhjeve ndikon në procesin e integrimit evropian, pasi vetë zgjedhjet janë një tregues i rëndësishëm i maturisë i sistemit tonë demokratik. 14 maj është një sfidë, sfidë për ne, sfidë për institucionet shqiptare, sfidë për partitë politike dhe për vetë shoqërinë. Zgjedhjet, e kam përmendur në një deklaratë të mëparshme, nuk janë të partive politike, zgjedhjet janë të qytetarëve. Në fakt të gjithë kandidatët, partitë politike duhet të mos i shpërfillin qytetarët, siç ndodhi me shpërfilljen që i bënë Presidentit kur bëri thirrje që retorika që të përdorej gjatë zgjedhjeve të ishte një retorikë qytetare jo denigruese, jo armiqësore, të ishte një retorikë e cila të ishte e matur, e vetëpërmbajtur që të kishte përplasje idesh, premtimesh, të mos të ishte me retorikë të panevojshme.

Natyrisht për mua sot, tre ditë para zgjedhjeve është me rëndësi që unë të bëj një thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje. Pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë kushtetuese, por është edhe një detyrim moral dhe qytetar. Detyrim për veten tonë, detyrim për kombin. Çdo qytetar duhet ta ushtrojë fuqishëm të drejtën e votës, fuqinë e votës, pushtetin e votës për të zgjedhur.

Natyrisht që administrata zgjedhore ka rëndësi në këtë proces.

Çdo institucion i përfshirë në administrimin zgjedhor, çdo faktor tjetër i rëndësishëm duhet të angazhohet që të realizojë të kemi zgjedhje transparente, të lira dhe të ndershme.

Ky në fakt nuk është kusht që na e vendos Bashkimi Evropian apo Polonia, ky është një detyrim që e kemi ndaj qytetarëve shqiptarë. Është një detyrim i cili ka të bëjë me një standard zgjedhor, i cili duhet të jetë ashtu siç duhet, të jetë i përsosur, të mos jetë një standard që është pak më i mirë se zgjedhjet e mëparshme.

Në këtë kuptim mendoj që nëse retorika e panevojshme e përdorur nga partitë politike vazhdon edhe pas procesit zgjedhor, ka një cënim të integritetit të këtyre zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia do të jetë e institucioneve dhe e partive politike.

Kreu i shtetit u pyet në lidhje me çështjen e detit dhe për faktin nëse do ta firmosë apo jo autorizimin për nisjen e bisedimeve në gjykatën e Strasburgut, ndërsa Begaj tha se ka në zyrën e tij një kërkesë nga Ministria e Jashtme.

Aktualisht me Greqinë fqinje, kemi një çështje të hapur me Greqinë. Kam një kërkese nga ana e Ministrisë së Jashtme, që është e shoqëruar me një relacion shpjegues. Si president i Republikës, në zbatim të detyrimeve kushtetuese, këtë kërkesë e vlerësoj me seriozitetin maksimal. Besoj se është një çështje që duhet të gjejë zgjidhje. Zgjidhja e saj është e bazuar në Kushtetutë, në vendin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, në ligjet e brendshme dhe në rregullat e fqinjësisë së mirë. Greqia është partner strategjik i yni dhe partner ekonomik. Kemi komunitetin shqiptar në Greqi dhe atë grek në Shqipëri, që janë ura të kësaj miqësie. Me kryeministrin Rama jam takuar disa herë. Janë diskutuar tema në lidhje me sigurinë kombëtare, shërbimin e jashtëm. Komunikimi është institucion. Mënyra se si takohemi është e tillë”, tha ai.

Arena e Lajmit

Për t’u bërë pjesë e grupit “Arena e Lajmit” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Arena e Lajmit