Përshkallëzohet situata në Dibër. Pas tentativës për blerje votash në qytetin e Peshkopisë nga eksponentë të Partisë Socialiste, pak orë më vonë të së premtes, ka ndodhur një tjetër ngjarje që ka lidhje me incidentet e mëparshme.
Pas një debati verbal mes simpatizantëve të koalicionit opozitar dhe përfaqësuesve të PS-së në Maqellarë, gjatë largimit në shtëpi të të parëve për në fshatin Kllobcisht, nga makina me targë BX 495 CË, tipi Mercedes ML, ngjyra jeshile, është qëlluar me armë zjarri në ajër.
Më pas makina është larguar me shpejtësi, por ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një arë, por pa u dëmtuar dhe më pas është larguar në drejtim të paditur dhe Policia menjëherë ka qenë e pranishme në vendngjarje, por pa arrestuar autorët.
Personat brenda makinës kanë qenë të maskuar me kapuç. Kjo makinë ka qarkulluar gjatë gjithë ditës në Maqellarë dhe fshatrat përreth. Qytetarët e pranishëm në vendngjarje deklaruan dhe dyshuan se ishte ish-Administratori i njësisë administrative Maqellarë Erger Kosiqi, sot drejtor i Sigurimeve Shoqërore në Peshkopi.
Arena e Lajmit