Shensoi përgatit ndryshime, Trumçi: Garë e hapur. Prodhojmë raste pafund, por kemi marrë vetëm një penallti

Bylisi po vijon përgatitjet për sfidën e radhës në kampionat, ku mallakastriotët do të përballen me Erzenin në “Niko Dovana”, të mërkurën pasdite. Në fakt, kjo periudhë ndërprerjeje e garës duket se i vlen shumë skuadrës së Bylisit, edhe për faktin se lojtarët rikuperohen dhe janë më të freskët për sfidën e radhës, e cila do të jetë vendimtare për synimin mbijetesë.

bylisi

Trajneri Naxhi Shensoi në mungesë të një ndeshjeje miqësore dhe për shkak se duhet të ruajë lojtarët që të mos dëmtohen, ka zgjedhur që të zhvillojë ndeshje brenda grupit.

Ballshiotët, ndryshe nga sfidat e mëparshme, pritet që të jenë me grup të plotë në takimin ndaj shijakasve, madje trajneri Naxhi Shensoi pritet që të hedhë në fushë 11 më të mirët në këtë finale të sezonit, ku Bylisi do të luftojë fort për tri pikët. Stafi teknik po punon shumë me aspektin psikologjik të skuadrës.

Një vëmendje të madhe po i kushton sulmit, që është reparti më problematik, pasi ka vuajtur në shënimin e golave, sidomos në pjesën e dytë të sezonit, ku me dëmtimin e Antonit e Felipe Souzës, mallakastriotët kanë vuajtur shumë gjetjen e golave.

Nuk është çudi që të ketë lëvizje në skemën taktike, me kalimin në majën e sulmit të Zho Santos, pasi ka eksperiencë, por është edhe një lojtar teknik.

Aleksandër Trumçi, shkodrani, që këtë sezon ka luajtur si titullar në elitë dhe është një nga lojtarët më të aktivizuar, ka folur në një prononcim për “Panorama Sport”:

trumci

“Nuk është se kemi luajtur keq, por renditja është e gënjeshtërt për Bylisin. Ky është një realitet i hidhur për ne dhe unë besoj se kthesa do të vijë në sfidën e radhës. Bylisi do të vazhdojë që të jetë ajo skuadër, e cila do të luajë mirë, duke respektuar veten dhe fanellën, por edhe garën e Superiores.

Unë kam besim se fati do të jetë me ne në këto takime, ndryshe nga sa ka ndodhur më parë. Jemi skuadra që ka prodhuar më shumë raste dhe nuk ka shënuar gola, por edhe që gjatë gjithë sezonit kemi marrë vetëm një penallti. Këto janë katër takime që vlejnë sa një sezon, të punojmë dhe të bashkuar t’ia dalim, sepse gara është më e hapur se kurrë”.

ERJON SALIU – Arena e Lajmit

” “


Shensoi përgatit ndryshime, Trumçi: Garë e hapur. Prodhojmë raste pafund, por kemi marrë vetëm një penallti

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook