Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u zotua se kjo e këtij viti do të ishte një fushatë ndryshe për partinë e tij dhe kandidatët për kryetar bashkie të PS. Do ishte një fushatë elektorale me mesazhe, pa ndotje akustike dhe shumë zhurmë.

Por mjaftuan vetëm pak ditë nga kjo deklaratë që gjithçka të ndryshonte, pasi Edi Rama mbushi çdo rrugë, kthesë me posterin që ai kishte zgjedhur për të luftuar kundërshtarët e tij.

Por pse ndryshoi Rama strategji?

Rama nuk do të ndryshonte qëndrim vetëm për posterat, por edhe për fushatën pa shumë zhurmë dhe të qetë. Edi Rama nisi nga veriu në jug, ofendimet, bullizmin, fyerjet, pasthirrmat ndaj kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Acarimi i Ramës në këtë fushatë elektorale mund të themi se ka arritur kulmin, pasi për hërë të parë Rama detyron një simpatizant të tij t’i flasë pemës.

Për herë të parë në Shqipëri ndodh që një kryeministër të kërcënojë qytetarët e vendit, se nëse zgjedhin për kryebashkiak kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ai nuk do të bashkëpunojë me ta.

Nëqoftëse ka diçka që Rama i ka qëndruar besnik përgjatë gjithë fushatave të tij elektorale që prej vitit 2013-të, janë deklaratat e tij tallëse për burrat.

Në vitin 2013-të kemi parë një Edi Ramë që fliste me programe, por kjo ndryshoi në zgjedhjet e 2017-ës, ku nuk kishte më programe, por vetëm timon e tepsi. Kjo gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2021 ku gjuha bullizuese, etiketimet fyese ishin kryefjalë e kandidatit të PS-së për Kryeministër. Por në zgjedhjet lokale të 2023 Edi Rama arrin në një nivel tjetër, i paparë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, dhe jo vetëm. Gjatë kësaj fushate është parë një Edi Ramë që nën tingujt e muzikës tallava të prodhojë pamje të shëmtuara për figurën e një kryeministri.

Edi Rama i ka paralajmëruar të tijtë, se nëse nuk do të këtë sjellje të rregullta, familjarët duhet ta mbyllin brenda.

Kjo ishte fushata e Edi Ramës në këto zgjedhje lokale, ku duhet të mbizotëronte llogaridhënia dhe se çfarë do të bëjnë kandidatët në 4-vjeçarin e ardhshëm. Por në mungesë të llogaridhënies dhe programit, Edi Rama e mori skenën duke u kthyer fushatën në një shfaqje cirku. Kjo e fut Shqipërinë në një rrugë të rrezikshme sa i përket demokracisë, llogaridhënies dhe mbajtjes së premtimeve, pasi në zgjedhjet e tjera, do të kemi një garë se kush do të fyej më shumë, se kush do të kërcej më çuditshëm apo se kush do të bërtasë më shumë.

Ne nuk kemi nevojë për një showman, një aktor humori, Shqipëria ka nevojë për njerëz që punojnë, që japin llogari për votën që kanë marrë dhe prezantojnë programe për 4 vitet e ardhshme. Nëse këto mungojnë, atëherë politika po ju gënjen e mashtron.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit “Arena e Lajmit” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Arena e Lajmit

Etiketa:

  • edi rama
  • speciale