Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se vendi ka nevojë jetike për një elitë të re. Gjatë një takimi sot me Departamentin Brain Gain, Berisha pohoi se Partia Demokratike është një lokomotivë e reformave të tregut.

Ndër të tjera ai theksoi se gjatë kohës kur në pushtet ishte PD, rrogat dhe pensionet u rritën, ndërsa sot theksoi se jemi të fundit në rajon.

“PD ka një trashëgimi me suksese dhe të metat e veta. Por ka një trashëgimi të jashtëzakonshme, pasi ajo mori vendin më të varfëruar të Europës dhe një nga tre vendet më të varfra në botë, dhe e nxori në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, çka përbënte arritje epokale të këtij vendi. E anëtarësoi në NATO dhe arritje të tjera. Nuk dua të ndalem në koment, por gjykoj se është një libër jashtëzakonisht i çmuar. Është një libër që përveçse do shpërndahet, do publikohet në faqen e PD. Është një libër që frymëzon demokratët për një të ardhme edhe më të mirë edhe se kjo, për suksese edhe më të mëdha se këto që ka realizuar. Është një dëshmi se PD është një lokomotivë e reformave të tregut, është një lokomotivë e proceseve integruese dhe një gardiane e vokacionit perëndimor të vendit.

Jemi në prag të këtyre zgjedhjeve, natyrisht nuk mund të mos themi se këto 10 vite, po t’i karakterizojmë në rrafshin filozofik, kanë qenë vite të një kohe të ndaluar, në kuptimin që progresi, zhvillimi i Shqipërisë, avancimi i këtij procesi që është jetik për Shqipërinë, u ngadalësua në mënyrë të jashtëzakonshme, njohu edhe prapa-kthehu.

Shqipëria, që në vitin 2013 ishte vendi me rrogat më të larta në rajon, u katandis sërish në vendin më të varfër me rrogat më të ulëta në rajon me vetëm 20 përqind të qytetarëve të saj që marrin ndihmë ekonomike dhe janë në nevojë për ndihmë ekonomike. Është një grup në Boston, ka bërë një studim interesant. Një grup ekonomistësh kanë bërë një studim në 2012-ën, mbi shpërndarjen e të ardhurave. Shqipëria rezulton e katrta për mirë në botë për shpërndarjen e të ardhurave mirë. Kjo tregon se Shqipëria arriti atë kohë se dyfishoi rrogat. Paratë iu shkonin komuniteteve. Ky është një mësim i madh. Nga njëra anë ndoqëm reforma reganiane, në kuptimin e vërtetë të fjalës, aplikuam terapinë e shokut. vendosëm TVSH 12%, të dytën më të ulët në botë. Vendosëm taksën e sheshtë. Harresa është sekreti i kujtesës. Vendi ka nevojë jetike për një elitë të re. Departamenti juaj ka një rol të rëndësishëm në këtë aspekt.”, tha ai.

Arena e Lajmit

Për t’u bërë pjesë e grupit “Arena e Lajmit” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Arena e Lajmit