Incident në qendrën e votimit 1302/ 1 në qytetin e Fushë-Krujës. Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në këtë qendër votimi dhe kanë nxjerrë më dhune duke e dhunuar komisionerin e opozitës, Ilir Hyka. Mësohet se në këtë qendër është pezulluar votimi.
Kjo qendër ka 755 votues.
“Është marrë zvarrë nga karrigia nga tre persona, që s’kanë lidhje me qendrën e votimit. Janë njoftuar organet kompetente. Njëri nga dhunuesit është identifikuar, pritet reagimi i policisë”, u shpreh një qytetar.
“Një mbështetësi ynë në Krujë është duke u mbajtur në qeli se u gjet me 5 mijë lekë në xhep, ndërkohë shih se çfarë ndodh”, tha një qytetar.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 10:10, Komisioni i Qendrës së Votimit 1302-1, KZAZ Nr. 20, Fushë Krujë, me vendimin numër 1, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi në këtë qendër votimi një shtetas (votues) ishte konfliktuar me një anëtar të Komisionit.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pasi kanë marrë njoftim, kanë shkuar në Qendrën e Votimit 1302-1, ku ka rezultuar se shtetasi E. K., i cili kishte shkuar për të votuar në këtë Qendër, kishte debatuar me një anëtar të Komisionit të Qendrës së Votimit, shtetasin I. H., dhe më pas e kishte goditur atë me grusht, për radhën e votimit.
Shtetasi E. K. është shpallur në kërkim dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e tij.
Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas normalizimit të situatës, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Arena e Lajmit