Sekret ndryshimet në statut, tjetër asamble me “dorën në allçi”

Është mbledhur dje Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së, që zhvilloi punimet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Përveç anëtarëve dhe delegatëve, në këtë asamble morën pjesë edhe përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, znj.Evis Kushi, si edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Agim Ademi.

asambleja e pergjithshme

Ndërkaq, nuk u lejuan të merrnin pjesë përfaqësues të medias, duke dëshmuar edhe një herë se centralizimi i FSHF-së po shndërrohet në një “bunkerizim”. Gjatë asamblesë që u transmetua “online” ra në sy fakti se të gjithë pjesëmarrësit nuk kishin asgjë për të diskutuar dhe se gjithçka shkon vaj në futbollin shqiptar. Duka nuk e kurseu pyetjen e përvitshme: “A ka dikush diçka për të diskutuar?”… Por pjesëmarrësit nuk e zhgënjyen as këtë vit: të gjithë ishin dakord për buxhetin, ndryshimet statutore, etj. Ndërkaq, nuk janë bërë publike as se cilat nene të statutit u ndryshuan dhe si u ndryshuan.

MINISTRJA – Ministrja e Arsimit dhe Sportit shprehu kënaqësinë që sporti kohët e fundit ka marrë një vëmendje të veçantë nga qeveria shqiptare dhe këtë e dëshmojnë shumë vendime dhe nisma të fundit. Ajo theksoi në mënyrë të veçantë vendimin për ndërtimin e tri stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë. “Kemi qenë së bashku me Presidentin Duka pjesë të jurisë ndërkombëtare për të vendosur për projektet që do të zbatohen në këto tri qytete dhe jemi shumë krenarë që këto tri projekte nuk janë thjesht për stadiume, por do të jenë pole të reja për qytetet tona, që do të kenë jetë 24 orë në 7 ditë të javës dhe që do të sjellin zhvillim ekonomik, kulturor, social, edukativ si edhe tregtar. Kemi stadiume të reja edhe në Elbasan, Kukës, Shkodër, stadiumin ‘Air Albania’ me impaktin kaq të madh që ka në zhvillimin e Tiranës dhe Shqipërisë”, tha, ndër të tjera, ministrja Kushi.

DUKA – Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u shpreh se politikat e FSHF-së gjatë kësaj periudhe gjithmonë kanë pasur vetëm një qëllim, zhvillimin e lojës së futbollit në Shqipëri, masivizimin e tij dhe sigurimin e një të ardhmeje të ndritur për këtë lojë. “Asnjëherë ne nuk jemi nisur në politikat tona për interesa personale, por gjithmonë për interesin e institucionit, duke vendosur lojën mbi të gjitha. Çdo projekt, financim, aktivitet që kemi kryer gjatë kësaj periudhe është në përputhje të plotë dhe për të realizuar objektivat e miratuar nga ju në strategjinë ‘Futbolli për Kombin 2022-2025’, duke filluar që nga projektet ‘Uniforma ime’ dhe vazhdimi i projektit ‘Topi yt’, investimet e gjithçka tjetër. Po shkon drejt fundit sezoni i parë i kampionateve të moshave, pas reformës se propozuar nga komisionet përkatëse e miratuar nga KE. Një reforme jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme për të rritur më shumë profesionistë nëpërmjet garave më të forta, por edhe për të krijuar më shumë hapësira për shtimin e numrit të futbollistëve nëpër zona rajonale. Ekipi

Kombëtar ka përpara një objektiv të rëndësishëm, por plotësisht të arritshëm: Kualifikimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Me mbështetjen e federatës, tifozëve, opinionit publik dhe duke qenë bashkë të gjithë aktorët dhe faktorët ne besojmë se do ta rikthejmë Shqipërinë në “Euro 2024″. Në këtë vit ne do të vazhdojmë të investojmë pa ndalim projekte infrastrukturore për të ndërtuar sa më shumë fusha futbolli në të gjithë vendin. Sfidat janë të mëdha, por ne pëlqejmë të sfidohemi dhe t’i arrijmë të gjitha ato. Ashtu si edhe atë për organizimin e një Kampionati Europian në Shqipëri. Dua të ndaj me ju lajmin e shkëlqyer se administrata e Federatës Shqiptare të Futbollit sapo ka përmbyllur aplikimin për organizimin e një Europiani për moshat në vendin tonë. Jam shumë optimist se aplikimi ynë do të jetë fitues dhe Shqipërisë do t’i besohet organizimi i një kompeticioni madhor europian”, tha ndër të tjera presidenti i FSHF-së.

Arena e Lajmit

” “


Sekret ndryshimet në statut, tjetër asamble me “dorën në allçi”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook