EKSKLUZIVE/ “Erdhi koha që Partizani të fitojë titullin”, Asani parashikon derbin: Vendimtarë Telushi dhe Hoxha, do ketë gola (E PLOTË)

Kur ishte në Shqipëri me fanellën e Par tizanit e “punonte” anën e djathtë të fushës dhe ishte një “makth” për rivalët. Prej dy vitesh i ka lënë të kuqtë dhe pasi shkëlqeu në Hungari, po e bën këtë edhe në Korenë e Jugut. Kur veshi fanellën e Kombëtares, sikur u shndërrua në një “Ferrari”.

jasir asani 1

Po flasim për Jasir Asanin, një nga lojtarët më të mirë që ka pasur Partizani në anën e djathtë të sulmit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 27-vjeçari tregon për derbin e madh të 17 majit, ku do të vendoset shumë rreth titullit kampion. Asani shprehet se do të jetë një ndeshje shumë e ekuilibruar, por beson se “demat” do ta administrojnë mirë dhe do të fitojnë.

Jeni ambientuar shumë shpejt në Kore. Si ia dolët? Çfarë ju ndihmoi?
Të gjithë më kanë bërë një pritje shumë të mirë kur erdha. E gjithë skuadra është përpjekur të më ndihmojë. Gjithashtu, kam folur shumë me shokë që luajnë këtu nëpër ekipe të tjera për të mësuar më shumë rreth rregullave dhe jetës këtu. Ata më kanë treguar gjithçka. Njerëzit këtu janë shumë të qetë dhe të edukuar.

Si është futbolli korean? Ka lojtarë me cilësi?
Është një kampionat i një niveli shumë të mirë. Këtu ka lojtarë shumë të mirë, që kanë luajtur në Europë me skuadra të mëdha. Kampionati është shumë i fortë dhe më pëlqen shumë stili i lojës.

Në vetëm një ndeshje, shkëlqyet në Kombëtare. Mos u vonua debutimi juaj me Shqipërinë?
Le ta lëmë të shkuarën. E rëndësishme është që unë tani jam pjesë e Kombëtares së Shqipërisë dhe sa herë do të më jepet mundësia, do të jap shpirtin në fushë me qëllim që të fitojmë çdo ndeshje. Jam shumë i lumtur që kam shansin të përfaqësoj fanellën kuqezi.

E keni ndjekur Partizanin? Si ju është dukur loja e tyre?
Po, e kam ndjekur në disa ndeshje, sa herë kam pasur mundësi. Po bën një lojë shumë të bukur. Kanë lojtarë shumë të mirë dhe me cilësi. Them se tani ka ardhur sërish radha që titulli të fitohet nga Partizani, sepse ka arritur të krijojë një skuadër me lojtarë të mirë.

Cili prej lojtarëve mendoni se ka cilësi për të vendosur derbin?
Partizani këtë vit, veçanërisht pas lëvizjeve të janarit, ka treguar se është një skuadër që funksionon në grup. Kështu që, të gjithë së bashku janë vendimtarë. Është një derbi, ku vendoset titulli dhe besoj se të gjithë lojtarët janë përgatitur për ta fituar këtë përballje.

Asani Stenio Cinari

Tirana shkon pa tre titullarë. E bën kjo favorit Partizanin?
Kjo ndikon, por edhe Tirana ka lojtarë shumë të mirë dhe është vetëm një ndeshje. Mendoj se do të shohim një ndeshje të bukur. Ekipi që tregohet më i ftohtë para portës, fiton. Shpresoj që këtë ta bëjë Partizani.

Si e prisni derbin? Do të jetë një ndeshje me shumë gola?
Kam një parandjenjë se do të ketë gola, por derbit nuk i dihet kurrë se si merr. Në fund nuk ka rëndësi sa herë do të shënohet, mjafton që përpara të jetë Partizani.

Mendoni se Partizani ka personalitet dhe cilësi për të fituar titullin?
Sigurisht që po. Ka lojtarë shumë të mirë, si Cara, Mba, e shumë të tjerë. Është një skuadër e formuar mirë dhe mendoj se e ka stofin për të dalë kampion. Jam i sigurt se ata do të bëjnë gjithçka për të fituar.

Çfarë kishte ndryshe skuadra e 2018-2019-ës nga kjo aktualja?
Skuadra që ishim atë vit, me profesor Gegën, ka qenë shumë ndryshe nga kjo aktualja. Ka pasur lojtarë shumë të fortë dhe me cilësi. Tani mendoj se kanë ndryshuar shumë gjëra, sepse ka disa vite që ato lojtarë janë larguar nga Shqipëria, përfshirë edhe mua. Por sërish është Telushi aty, që gjithnjë ka treguar se është ushtar i betuar dhe besoj se do ta mbledhë grupin për të fituar këtë ndeshje. Gjithashtu është edhe Albani, një nga portierët më me eksperiencë në Shqipëri. Besoj se këta dy lojtarë do t’i bashkojnë të gjithë që të jenë grup për të fituar këtë ndeshje.

Cila ju duket skuadër më e kompletuar, Tirana apo Partizani?
Të dyja skuadrat janë shumë të forta, me lojtarë shumë të mirë. Do të jetë një ndeshje e fortë, por në fund mendoj se do të fitojë Partizani.

DENIS LALA – Arena e Lajmit

” “


EKSKLUZIVE/ “Erdhi koha që Partizani të fitojë titullin”, Asani parashikon derbin: Vendimtarë Telushi dhe Hoxha, do ketë gola (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook