Deputetët e PS-së dhe PD-së bashkuan dje votat për të dyfishuar rrogat e tyre me argumentin se pas prekjes së pagave të majës së piramidës së administratës shtetërore, ata merrnin rrogë më të vogël se drejtorët nëpër ministri.
Votimi erdhi më pak se dy javë pas zgjedhjeve të 14 majit. Me përllogaritjen e re, nga 157 mijë lekë bruto që është paga e deputetit sot, prej 1 qershorit ata do të marrin 310 mijë lekë.
Por kjo nuk është e ardhura e vetme për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Ata trajtohen edhe me një sërë kompensimesh të tjera, të cilat në disa raste shkojnë sa gjysma e rrogës së re të tyre.
Në faqen zyrtare të Kuvendit janë publikuar edhe përfitimet që deputetët kanë marrë gjatë muajit mars përveç rrogës.
Deputetja e Korçës Enslemvera Zake ka marrë në mars plotë 2.4 milionë lekë dieta për udhëtime brenda vendit, karburant, kompensim telefoni, honorare për mbledhje në komisione dhe rimbursim për qiranë.
Gjatë muajit mars shumica e deputetëve kanë marrë nga 600 mijë deri në mbi 2 milionë lekë, përveç 1.2 milionë lekë rrogë pas tatimit.