GJKKO dha dje vendimin sa i përket masës së sigurisë për ish-kreun e bashkisë Durrës, Vangjush Dako. Gjykata e Posaçme ka vendosur lënien e tij në burg, duke vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Në lidhje me rastin, gazetarja Klodiana Lala ka raportuar se zoti Dako u transferua në qelitë e paraburgimit të Durrësit.
Dako akuzohet se ka shkelur detyrën për një pallat 11 katësh, që ka ndërtuar shtesë pa leje si dhe për një tender për rërën në plazhin e Currilave, ndërsa ndaj tij zyrtarisht rëndojnë akuzat për ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Falsifikim dokumentesh’.
Ish-kryebashkiaku kërkoi lirim përmes garancisë pasurore.
Siç shihet nga pamjet e siguruara për nga gazetarja Klodiana Lala, Dako dhe ish-zyrtarët e tjerë të arrestuar u shfaqen të gjithë pas kafazit prej xhami, në pritje të caktimit të masës së sigurisë.
Dako, i shpallur non-rata nga SHBA, i ka kundërshtuar akuzat përmes avokatit të tij.
SPAK në kuadër të hetimit të bërë mbi bazën e një kallëzimi të disa banorëve të një pallati të shembur nga tërmeti i 2019-ës, ka lëshuar 7 urdhër-arreste.
Ndërkohë, GJKKO ka zbutur masën e sigurisë për tre prej të dyshuarve, konkretisht ka vendosur masën “Detyrim paraqitjeje” për Diana Dedja, “Arrest shtëpie” për Ardian Bulkun dhe “Arrest shtëpie” për Adnand Toçillën.
()