“Air Defender 23” është stërvitja më e madhe e dislokimit të forcave ajrore në historinë e NATO-s. Qëllimi i stërvitjes ku marrin pjesë 25 vende anëtarë të NATO-s me 250 avionë luftarakë është për të demonstruar unitet mes aleatëve dhe ndaj kërcënimeve të mundshme, si Rusia.
Nën komandën e Forcave të Armatosura Gjermane (Bundeswehr) stërvitja ajrore përfshin më shumë se 10.000 trupa nga vendet e Aleancës.Shumë kush në Europë po pyet nëse stërvitja “Air Defender” do të shkaktojë anulime apo vonesa fluturimesh.
Sqarohet se të gjitha palët e përfshira, si Forca Ajrore Gjermane, Kontrolli i Trafikut Ajror Gjerman, Eurocontrol, dhe linjat ajrore dhe operatorët e aeroportit, po bëjnë gjithçka që munden për të mbajtur sa më të ulët ndikimin e “Air Defender 23” tek pasagjerët që kanë planifikuar të udhëtojnë. Në një deklaratë bëhet me dije se vetëm 4 orë në ditë nuk janë në dispozicion për trafikun ajror civil në Gjermani deri në datën 23 qershor.
Rezultatet e fundit të simulimit të fundit nga Eurocontrol për ndikimin e “Air Defender 23” në aviacionin civil kanë treguar se nuk pritet asnjë anulim fluturimi, por më së shumti vonesa në fluturime shkruhet ne njoftim.
Rekomandohet qe pasagjerët të kontaktojnë me linjat ajrore për më shumë informacione për fluturimet e tyre në Europë gjatë kësaj periudhe.
Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar u kontaktua nga News 24 ku sqaroi zyrtarisht se stërvitja ajrore e NATO-s në qiejt e Europës nuk ka shkaktuar dje dhe sot asnjë anulim fluturimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Mësohet se në gjithë rrjetin europian ka pasur 28.000 minuta vonesë për shkak të “Air Defender 23” që po impakton më shumë hapësirën ajrore Gjermane