Nga Genc Burimi
Nëse konfirmohet përmbajtja e plotë 13-minutëshe e videos pirate në Bashkinë e Kukësit, ku përtej seksit dalin zbuluar pazare për tenderë me vajzën që shiste trupin përpara, jemi përballë një skandali shtetëror.
Të bënin porno në zyrën e kryebashkiakut përballë flamurit shqiptare dhe atij evropian, ishte moralisht e dëmshme për protagonistët, por kurrsesi vepër penale. I parë nga një sy “perëndimor”, aktin e rëndë në planin e moralit e balanconte në një fare mënyre e drejta për këdo për të pasur një jetë intime dhe private qoftë kjo dhe në një zyrë shtetërore. Në kësisoj rastesh në Perëndim, do të konsiderohej si penal veprimi i atij që filmon pa autorizim dhe jo i atij që filmohet. Marr si shembull kandidatin e mazhorancës së Makronit për kryebashkiak të Parisit në zgjedhjet e fundit më 2020, i cili u filmua “piratisht”, u dënua moralisht, dha dorëheqjen zyrtarisht, por procedura e vërtetë penale iu rezervua posaçërisht atij që organizoi filmimin e momenteve intime.
Nga ky këndvështrim i gjërave, përtej pështirosjes, ndjeva një farë mëshire për Safet Gjicin që dhe në gjestet e tij shtazarake meritonte humanizëm, sepse fundi i fundit, po bënte seks dhe jo luftë, nuk po i shkaktonte dem askujt, dhe për më tepër po e filmonin vjedhurazi.
Por, videoja e plotë 13-minutëshe e ndryshon radikalisht këndvështrimin sesi duhet ta trajtojmë tani këtë skandal. Ai nuk është me moral, por mega-penal.
Në fakt, pas atij episodi rutinor seksi fshihej sekseri, një kryebashkiak kryekëput i korruptuar, i cili me pushtetin që i kishte dhënë partia e tij socialiste dhe populli i zonës së tij, ndërmjetësonte sikur të ishte në mall të babait midis epshit të shfrenuar të Safet Gjicit dhe pagrykësisë (në të gjitha kuptimet e fjalës), po aq të çkompleksuar të një femre afariste që kërkonte t’ia faturonte shërbimin seksual jo Safetit, por gjithë kuksianëve.
“Lehtësia e padurueshme e qenies” e Milan Kunderas shndërrohet me këtë histori surrealiste në një lehtësi të padurueshme në dhënien e tenderëve! Vetëm me më pak, 10 minuta përsiatje “orale” janë me dhjetëra qindra mijëra lekë që u zhvatën xhepave të shqiptarëve në emër të një pseudo-tenderi për të sterilizuar qentë e Kukësit nga kompania fantazmë e partneres në seks të kryebashkiakut. Në çfarë epoke dhe bote jetojmë? Si është e mundur të luhet në këtë mënyrë sa cinike aq dhe monstruoze me paranë publike, sikur ata dy kriminele “Bonnie&Clyde” të Kukësit të luanin nëpër kazinotë e Montekarlos apo në Pigalle të Parisit?
Ky skandal që meriton një shërbim shembullor si për të korruptuarin me mandat nga populli ashtu dhe për korruptuesen aktive, nevojit një pezullim të menjëhershëm të të gjithë tenderëve bashkiakë në të gjithë territorin e Shqipërisë, për të bërë një verifikim të procedurave në fuqi dhe për të imagjinuar një sistem katërcipërisht të reformuar.
Në aferën financiaro-seksuale të Bashkisë së Kukësit nuk është vetëm taksapaguesi i Kukësit që vidhet dhe dëmtohet, por taksapaguesit e të gjithë Shqipërisë.
Buxheti i Kukësit ashtu si ai i të gjitha bashkive në Shqipëri, plotësohet në më shumë se gjysmën e tij nga buxheti i Shtetit, pra nga taksat e të gjithëve. Pse shtetasit e Sarandës apo të Korçës ashtu si dhe ata të Kukësit u dashkan të paguajnë për favoret seksuale që i atribuon vetes kryebashkiaku kriminel i qytetit verior?
Ligji të ndryshojë. Jo vetëm që organizimi i tenderëve nga bashkitë të jetë tash e tutje një kompetencë e përbashkët e kryebashkiakut dhe e prefektit në emër të balancës së pushteteve dhe të përgjegjësisë penale që duhet të marrë mbi vete dhe shteti në rast shkarjesh, por mbi të gjitha, një legjislacion i ri të parashikoje sanksione financiare ndaj kryebashkiakut të korruptuar në lartësinë e dëmit që ai do t’i ketë shkaktuar publikut. Ne rastet e Tahirit, Kokës dhe tani ta shpresojmë të Safet Gjicit, nuk është burgu me kohë të reduktuar që e shpagon dëmin e shqiptarëve. Ndaj dëmit financiar të ketë shpagim financiar deri në sekuestrim të të mirave që gëzojnë këta politikanë dhe që me siguri, i kanë krijuar falë një jete politike me allishverishe të kamufluara pas votës së shqiptarëve.
Duhet një revolucion penal në Shqipëri ku tolerancës “zero” ndaj krimeve financiare të politikanëve t’u bashkëngjiten gjoba maksimaliste. Nuk ka logjikë penale që t’u sekuestrohet pasuria baronëve të drogës dhe jo baronëve të politikes kur zhyten dhe këta në ekstazën e korrupsionit.
Me pas, ato pasuri të sekuestruara politikanëve t’u rikthehen buxheteve të bashkive apo ministrive ku është zbuluar korrupsioni. Do të ketë vetëm një tolerancë për mostrat e korrupsionit në politikë, shpëtim nga sekuestrimi,nëse ata apo dhe ato do të pranojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë për të dhënë emrat e politikanëve më sipër tyre qe ua kane lehtësuar grabitjen e qytetareve. Pasi një gjë është po aq e sigurt sa imazhet e asaj qenie me çehre prej derri që pamë në videon skandaloze, Safet Gjici nuk arriti aty ku arriti në skenën e politikës dhe të krimit financiar pa një regjisor që ia kishte prerë rolin si me porosi…