Partia Demokratike zyrtare do të thërrasë sot në orën 12 Këshillin Kombëtar për të miratuar vendimin e kryesisë për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar në 29 korrik.
Mbledhjen e Këshillit Kombëtar do ta bojkotojnë të paktën 17 deputetë të cilët kanë qenë kundër mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar përpara se të zhvilloheshin më parë zgjedhjet në seksione, grupseksione dhe degë.
Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi bëri të ditur dje në përfundim të një mbledhje me grupin parlamentar se ata kanë vendosur të mos jenë të pranishëm sot për shkak të shkeljeve të shumta të statutit dhe marrjes së kompetencave të sekretarit të përgjithshëm nga një disa sekretariate.
Sot në mesnatë, ndërkohë skadon edhe afati i vendosur nga kryesia për paraqitjen e kandidaturave për kryetar të Partisë ku siç është thënë ndonëse jo zyrtarisht, kandidat do të jetë ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha.