Politologu, Ervis Iljazaj, i ftuar në studion e emisionit “Open” ka komentuar mbi bilancin e ambasadores në ikje të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim.
Iljazaj u ndal te zbatimi i reformës në drejtësi, duke thënë se në mandatin e saj, ambasadorja Kim, ka pasur detyrë zbatimin e ligjeve që u lanë nga paraardhësi i saj, Donald Lu.
Ai shtoi se në vend nuk është parë ndonjëherë që njerëz si Vangjush Dako apo Saimir Tahiri të përfundojnë prapa hekurave, ashtu si ka ndodhur gjatë mandatit të Kim.
Nga ana tjetër ekspertja e Çështjeve Ndërkombëtare, Ilda Zhulali u shpreh se Kim ka qenë në vend për të ndjekur interesat e SHBA-së, ndërsa reformat janë detyra e njerëzve përgjegjës për qeverisjen e vendit.
Ajo tha se sipas raporteve ndërkombëtare në vend është konstatuar mungesa e drejtësisë bazike, si edhe “korrupsioni i shfrenuar” gjatë viteve të fundit.
Zhulali shtoi se edhe SPAK ka çaluar për shkak se nuk ka hetuar një rast si ai i inceneratorëve, ndërsa sa i përket arrestimeve të bujshme, ajo u shpreh se ato kanë qenë të paralajmëruara dhe të negociuara.
Iljazaj:
Duke qenë se na ka munguar drejtësia e pavarur, kemi një padurim për drejtësinë që të dërgojë zyrtarët e lartë në pranga. Fakti është që Kim erdhi pas Donald Lu, që la një korpus ligjor në vend për reformën në drejtësi. Kur u largua Lu kishim vetëm ligje në letra. Mandati dhe misioni i Kim ishte zbatimi i këtyre ligjeve, gjë që nuk ka qenë e lehtë.
Nuk është parë ndonjëherë në Shqipëri që njerëz si Dako apo Tahiri të jenë prapa hekurave para mandatit të Kim. Nuk ka qenë ndonjëherë që njerëz të rëndësishëm politikë, dhe në këtë kuptim ka rezultat të reformës në drejtësi. Unë do bindem kur të shohim në pranga një politikan të rëndësishëm në detyrë.
Zhulali:
Kim ka qenë në vend për të ndjekur interesat e Amerikës dhe jo për të bërë detyrat e shqiptarëve. Sa i përket reformave, ato duhen çuar përpara nga njerëzit në Shqipëri të cilët kanë marrë përsipër qeverisjen. Analizën e punës së ambasadores e bën DASH. Sipas raportit të Freedom House, është konstatuar se në Shqipëri mungon drejtësia bazike, kjo ndodh në vitin e tetë të reformës në drejtësi. Flasim për korrupsionin, ndër vite është konstatuar si gjerësisht i përhapur e më pas në të gjitha nivelet e qeverisjes e më tej të shfrenuar.
Paaftësia e SPAK për të hetuar inceneratorët ka bërë që autorët e kësaj skeme të mos dalin para drejtësisë. Të thuash që sot SPAK është i paaftë për të hetuar një rast si ky, që ka të dhëna pafund në media, i vendos një JO të madhe nivelit të zbatimit të reformës në drejtësi.
Ka patur arrestime në vend, por kanë qenë të paralajmëruara nga kryeministri dhe kanë qenë të negociuara si me Bllakon. Për Dakon e mori vesh gjithë Shqipëria 3 ditë para. Kjo nuk është drejtësi. Në Shqipëri prej vitesh kemi një pushtet të kapur, që ka ardhur duke u forcuar edhe më shumë. Këto janë sipas raporteve ndërkombëtare.