KRUJË
Administratori i fasonerisë ku ditën e djeshme humbi jetën një punonjës 34-vjeçar është arrestuar nga policia.
Sipas burimeve zyrtare, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin F. Kalesha, 48 vjeç, banues në Krujë, administrator i një fasonerie në Fushë Thumanë, pasi ditën e djeshme, në këtë fasoneri, shtetasi Taulant Dika, 33 vjeç, duke punuar me një makineri, është goditur nga një pjesë e makinerisë (tranxhë) dhe për pasojë ka humbur jetën.
Është e paqartë si ka ndodhur ngjarja, kjo pasi tranxha është një padisje që peshon rreth 2 tonë dhe nuk ka asnjë mundësi që të godasë personin që e përdor.
Sipas burimeve fasoneria ka vetëm pak kohë që është hapur dhe viktima banonte vetëm pak metra larg fasonerisë.
“Më datë 21.06.2023, në një fasoneri në Thumanë, Krujë, dyshohet se aksidentalisht është goditur nga një tranxhë shtetasi T. D., 35 vjeç, punonjës i kësaj fasonerie, dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi dje fillimisht policia.